E Shtunë, 31 Tetor 2026

AK degë në Himarë. Grekët: Nuk e lejojmë partinë e Spahiut

TIRANE - Aleanca Kuq e Zi do të hapi degën e saj në Himarë. "Alarmi" për këtë gjë është dhënë vetëm pak ditë më parë nga ana e sajtit himara.gr, i cili kishte shkruar se shumë shpejt partia tashmë e njohur për qëndrimet e saja të ashpra kundër Greqisë, do të hapë selinë e saj në qytezën "e nxehtë" të Himarës. Madje, himara.gr arrin deri aty sa të deklarojë se himarjotët nuk do ta lejojnë ngritjen e kësaj dege në qytetin e tyre. 

Ndërkaq, "Gazeta Shqiptare" e ka zyrtarizuar këtë lajm që ka qarkulluar në pjesën më të madhe të blogjeve "Vorioepirote", duke komunikuar me koordinatorin e Aleancës Kuq e Zi për jugun e Shqipërisë, Adriatik Lapajn. 

Në një intervistë për "GSH" Lapaj ka deklaruar se jo vetëm në Himarë, por në të gjitha fshatrat e Bregut, do të hapen selitë e AKZ-së. I pyetur nëse dega e Himarës do të ngjall konflikte mes banorëve vendas dhe anëtarëve të kësaj partie, Lapaj ka deklaruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhi, pasi ata që do të hapin këtë seli janë djem himarjot dhe nuk janë të ardhur nga qytete të tjera. I pyetur në lidhje me pritshmërinë e anëtarësimeve në këto zona, Lapaj është shprehur se ata presin një anëtarësi prej 500 personash në të gjitha fshatrat e Bregut ndërsa nënvizon se, zona kryesore ku ata do të fokusohen do të jetë fshati i Borshit. 

Himara.gr: Nuk do të lejojmë hapjen e degës së AKZ-së në Himarë
Sajti himara.gr ka qenë i pari i cili ka publikuar lajmin për përgatitjet e Aleancës Kuq e Zi për të hapur degën e saj në Himarë. Madje, në këtë shkrim është përmendur dhe emri i personit i cili përflitet të jetë në krye të kësaj dege, i cili sipas himara.gr do të jetë Irakli Gjiçali. Por nga ana tjetër, Gjiçali i kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare" e ka mohuar këtë fakt duke deklaruar se nuk ka asnjë plan për të qenë në krye të Aleancës Kuq e Zi dhe se të gjitha ato që janë shkruar janë vetëm trillime. 

"Çka keni lexuar në himara.gr nuk është e vërtetë. Unë si përpara 22 vitesh edhe këto 22 vjet të fundit nuk kam bërë pjesë në asnjë parti politike, duke qenë se jam Kryetar i Shoqatës së Pavarur të Intelektualeve të Himarës dhe aktualisht punoj në Bashkinë e Himarës si Zv.Kryetar. Sa për Aleancën Kuq e zi, zoti Spahiu është mik i imi, por e keqja është se nuk më mbushet mendja që ndonjë parti këtu të ketë punuar për interes të Shqipërisë. Në këtë vështrim unë nuk i kam simpati partitë politike", - deklaroi Gjiçali i kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare". 

Ndërkaq, në shkrimin e publikuar në himara.gr dallohen qartë tonet e ashpra për ngritjen e degës së AKZ-së në qytetin e Himarës, ku shkruhet se pavarësisht përpjekjeve të Kreshnik Spahiut dhe të mbështetësve të tij, nuk do të lejohet nga himarjotët krijimi i një dege të Aleancës Kuq e Zi në Himarë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›