E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Kandahar, vizita e parë tek ushtarët shqiptarë

TIRANE -  Kryeministri Berisha vizitoi bazën ushtarake ajrore të Kandaharit, ku u prit nga Komandanti i Njësisë Shqiptare, Nënkolonel Behar Mara dhe Zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale Jugore Chriss Fields.

Kryeministri mori vlerësimet më të larta për performancën e shkëlqyer të ushtarakëve shqiptare dhe duke shfrytëzuar këtë vizitë, ata i ri shprehën Kryeministrit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së Kapiten Veti Voglit dhe vlerësimin më të madh për të si një oficer dhe mik i shkëlqyer.

Nga kjo bazë, Kryeministri Berisha iu drejtua bazës operacionale Spin Buldog në Kandahar, në të cilën ndodhen të dislokuar së bashku me njësitë amerikane edhe kontingjenti "Eagle 4", i përbërë nga 44 ushtarakë të Forcave Speciale të Republikës së Shqipërisë. Pjesë e këtij kontingjenti ishte edhe Kapiteni Feti Vogli.

Nënkolonel Mara e informoi Kryeministrin për misionin dhe zbatimin me sukses të detyrave të rëndësishme që i janë ngarkuar njësisë së tyre gjatë kësaj periudhe, përfshi edhe operacionet anti elementeve talebanë. Në këtë kontekst, Nënkolonel Mara e informoi Kryeministrin edhe për incidetin e sulmit të pabesë të policit afgan, gjatë të cilit ra në krye të detyrës Kapiten Feti Vogli dhe u plagos Tetar Aleksandër Peci, si dhe u plagosën disa ushtarakë të SHBA-së.

Kryeministri Berisha i falenderoi ushtaraket shqiptarë të Forcave Speciale, por edhe kolegët e tyre amerikanë, për punën e shkëlqyer dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ata po japin për konsolidimin e sigurisë në këtë rajon jashtëzakonisht të rëndësishëm për misionin e Koalicionit, për të shkatërruar elementet talebanë e terroristë dhe konsolidimin e paqes e sigurisë në këtë vend mik.

"Është një nder dhe privilegj për mua t’ju përshëndes dhe t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë për misionin tuaj të madh, por, gjithashtu, t’ju siguroj se nuk ka ditë, në të cilën zemra e mendja ime të mos jetë me ju, familjet tuaja, misionin tuaj fisnik, sukseset e vështirësitë tuaja. Ndaj erdha t’ju shpreh nderin e të gjithë kombit për misionin tuaj dhe t’ju siguroj se çdo shqiptar ndihet shumë krenar me ju" iu drejtua Kryeministri Berisha ushtarakëve. Ju punoni sëbashku, luftoni sëbashku, ndani të njëjta kërcënime dhe të njëjtat qëllime, me anëtarët e ushtrisë më të shkëlqyer, asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vijoi ai. "Ju punoni në një rajon shumë strategjik, për të siguruar qarkullimin e mallrave dhe lëvizjes drejt këtij vendi. Ju po punoni gjithashtu të ndihmoni komunitetin, për të kthyer faqen e të ndërtojë të ardhmen. Ju po punoni që t’i siguroni ata, nga armiqtë më të rrezikshëm e të egër të paqes jo vetëm të popullit afgan, por edhe të botës, që janë Al Kaeda dhe talebanët. Kauza për të cilën ju luftoni është tepër fisnike", theksoi Kryeministri.

Por, si shqiptarë, vijoi ai,ju e kuptoni më mirë sa themelor dhe jetik është për këtë vend të ndërtojë të ardhmen e tij në liri. Afganistani, tha ndër të tjera, është një vend me potenciale të mëdha, por edhe më i varfëri në botë, sepse ata nuk janë të lirë të ndërtojnë të ardhmen, nuk janë të lirë të shfrytëzojë potencialet tij, humane, natyrore e të të gjitha llojeve.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›