E Diel, 1 Nëntor 2026

Kremtohen Pashkët Ortodokse, politika i bashkohet festës

TIRANE - Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtuan mesnatën e së shtunës dhe në orët e para të së dielës, ringjalljen e Krishtit. Mijëra besimtarë kanë marrë pjesë në meshën e Pashkëve, që u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Me shprehjen “Merrni dritë nga drita që nuk perëndon kurrë”, Kryepeshkopi Janullatos iu drejtua besimtarëve ortodoksë në mesnatë, në momentin e ringjalljes së Jezusit të Nazaretit, tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë nga drita e pashueshme e Perëndisë. Flaka që u ndez në atë moment simbolizon ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq. Besimtarët kanë ndezur qirinj dhe kanë uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi. 

Krerët e vendit urojnë besimtarët
Krerët e lartë të shtetit vizituan selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale, prej nga uruan besimtarët për më shumë gëzime e mbarësi. Presidenti Topi zgjodhi Korçën për të përcjellë urimin e tij.

Topi: Të ringjallim kudo shpresën për ditë më të mira
Pas vizitës në Selinë e Mitropolisë së Shenjtë në Korçë, Presidenti Topi dha një deklaratë për mediat, ku apeluar që në këtë ditë të shenjtë, të gjithë të tregojnë më shumë kujdes për njerëzit në nevojë.

“Besoj që është dita e ringjalljes, dhe mbi të gjitha mbi këtë term kaq të gjerë, ringjallje, unë do të uroja që të ringjallim kudo shpresën për një ditë më të mirë! Tek çdo njeri, tek çdo shoqëri ka nevojë që të ketë më shumë optimizëm për ditën që vjen. Dhe besoj që ky mesazh që vjen nga kjo filozofi e krishterë është shumë domethënës, sidomos për ata që kanë fatet e tjerëve në dorë, për ata që merren me politikën, me institucionet dhe kjo ditë është për të reflektuar së pari për njerëzit që janë më në hall, më në nevojë. Dhe ky apel është për institucionet, për politikën, por është edhe për njerëzit që janë në gjendje të mirë që ta kthejnë vështrimin tek ata që janë më dobët. Edhe njëherë ju uroj këtë ditë të bekuar! Paçim gjithmonë ditë të mira sikurse kjo që po përjetojmë sot!”- u shpreh nga Korça Presidenti Topi.

Berisha: Kemi motive për t’iu falur Zotit, jemi komb i rilindur
Pas vizitës në selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale, në ditën e ringjalljes së Krishtit, kryeministri Berisha u ndal përpara gazetarëve për të përcjellë urimin e tij për të gjithë besimtarët shqiptarë.
Duke uruar për më shumë gëzime e mbarësi, Kryeministri theksoi se shqiptarët kanë motive të mëdha për t’iu falur Zotit, për rilindjen e tyre pas kapërcimit të errësirës dhe izolimit.
“Uroj që Pashka tjetër të na gjejë edhe më mirë, së bashku me vëllezërit ortodoksë ta festojmë në Katedralen e re. Ne shqiptarët kemi motive më të mëdha se kushdo tjetër që t’i falemi Zotit sepse ne jemi një komb i rilindur, sepse besimet tona janë besime të rilindura, sepse asnjë komb tjetër nuk pati fatin tonë të izolohej në errësirat më të thella, të privohej nga besimet dhe shpresat. Pra këto 20 vite, janë vite të rilindjes së vërtetë të shqiptarëve, të besimeve të tyre të mëdha.”- u shpreh Berisha.
Me tej, shefi i qeverisë vlerësoi tolerancën fetare ne Shqipëri, si një nga vlerat morale të shqiptarëve që shndërrit më shumë.

Kryetari i PS-së, Rama uron Janullatos
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij uroi të dielën besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkëve. Rama vizitoi rreth orës 12.30 Kishën Ortodokse Autoqefale në Tiranë, ku u takua me kryepeshkopin Anastas Janullatos. Pas takimit Rama nuk dha asnjë prononcim për mediat.

Ambasadori i SHBA-ve vizitë në Kishën Ortodokse
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Alexandër A. Arvziu uroi të dielën besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkëve. Ambasadori Arvizu vizitoi rreth orës 12.30 kishpn Autoqefale Ortodokse në Tiranë ku u takua me kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Basha në Kishën Ortodokse, uron besimtarët për Pashkët
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij uruan të dielën të gjithë besimtarët ortodoksë gëzuar Pashkët.
Pas vizitës në Kishën Ortodokse Autoqefale, ku u takua me kryepeshkopin Anastas Janullatos, Basha uroi përzemërsisht të gjithë të besimtarët ortodoks me rastin e Pashkëve.
"Në emër timin, familjes sime dhe Bashkisë së Tiranës, uroj të gjithë besimtarët ortodoks gëzuar Pashkët", tha Basha. 

PDIU uron besimtarët ortodokse
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet uron të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë në Shqipëri, Çamëri, Maqedoni dhe Diasporë, sikurse dhe të gjithë besimtarët anembanë botës, Gëzuar Pashkët. Kjo ditë simbolizon paqen dhe sakrificën në të mirë të së përgjithshmes dhe është një simbolikë që duhet të na udhëheqë në jetët tona.
PDIU uron të gjithë besimtarët ortodoks por edhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për më shumë mirësi, solidaritet dhe ndjenjë komunitare, simbole këto të ditëve të shenjta.
“Le të sjellë kjo festë gëzim, lumturi dhe dashuri për të gjithë besimtarët që e festojnë dhe për të gjithë kombin shqiptar. Paqja dhe mirësia, dy virtytet që simbolizojnë ditët e shenjta, janë ajo çka i nevojitet sot më shumë se kurrë kombit shqiptar dhe mbarë qytetarëve. Për shumë vjet Pashkët", përfundon urimi i PDIU-sës për besimtarët ortodoksë.

Mesha e festime në të gjithë vendin
Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtuan mesnatën e së shtunës dhe në orët e para të së dielës, ringjalljen e Krishtit.

Fier
Moti me reshje nuk i ka penguar besimtarët Ortodoks për të kryer ritet fetare të Pashkëve,festës më të rëndësishme shpirtërore të tyre. Në orët e mesnatës, ata i janë drejtuar kishës së Shën-Gjergjit,më e madhja në trevën e Myzeqesë, për të festuar “Ringjalljen e Jezu Krishtit”.
Pas shpalljes Krishti u ngjall, ceremonitë vazhduan me meshën hyjnore.
Sipas besimtarëve ortodokse, kjo festë ka efekte të fuqishme, jo vetëm psiko-emocionale, por edhe morale, pasi pastron shpirtin dhe I bënë njerëzit më human e të moralshëm. Është festa që shënon triumfin e jetës mbi vdekjen .Fillimin e një jete të re pa brenga, pa dhimbje e mëkat.

Gjirokastër
Besimtarët ortodoksë të qarkut të Gjirokastrës, kanë kremtuar mbrëmjen e djeshme, duke u gdhirë dita e sotme, Ringjalljen e Jezu Krishtit.Kisha e Kryeëngjëjve në lagjen “Varrosh” ka mbledhur me mijë besimtarë, duke uruar njëri-tjetrin “Krishti u Ngjall”.  Këmbana e kishës ka tingëlluar fort në momentin kur akrepat e orës shënuan ardhjen e ditës së re dhe simbolikisht Ringjalljen e Krishtit.  Mesha e organizuar nga At Theodhori në ambientet e jashtme të kishës së Kryeëngjëjve, u përcoll nga besimtarët e shumtë, të cilët nxitonin të ndiznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re.

Sarandë
Besimtarët ortodoksë në Sarandë, në jug të vendit, kanë kremtuar në minutat e para pas mesnatës Ringjalljen e Krishtit. Kjo është bërë përmes një ceremonie, të organizuar në Kishën e "Shën Harallambit" në Sarandë, e cila ka mbledhur me mijëra besimtarë, përfshi edhe ata të ardhur enkas nga emigracioni për të festuar Pashkët.  Mesha e organizuar nga At Gjergji u përcoll nga besimtarë të shumtë, të cilët ndezën qirinj, në shenjë besimi për ringjalljen e mbarësisë së bashku me ringjalljen e Jezu Krishtit. Sipas interpretimit biblik, me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e madhe, kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve, kur ai ringjallet. 

Durrës
Qindra besimtarë durrsakë kanë kremtuar mesnatën e kaluar Ringjalljen e Krishtit në ceremoninë e përvitshme të Pashkëve. Megjithë motin e keq në katedralen ortodokse të Shën Pavlit dhe Shën Astit besimtarët u mblodhën në meshën e Shërbesës së mesnatës në vigjilje të të së Dielës së Shenjtë të Pashkës. Në mesnatë me fjalët “Krishti u ngjall” ata kanë përshëndetur dhe përqafuar njeri tjetrin, e më pas kanë thyer vezët e Pashkës të ngjyera me të kuqe në përkujtim të sakrificës së Kishtit. 

Shkodër
Atmosfera e festës së Pashkëve ortodokse është e pranishme edhe në qytetin e Shkodrës. Epiqendra e aktiviteteve ka qenë në Katedralen e Kishës Ortodokse në qendër të qytetit të Shkodrës, aty ku janë organizuar mesha gjatë të gjithë javës për të mbërritur në mbrëmjen e së shtunës, ku është predikuar edhe mesha kryesore.
E bashkë celebruar nga kreu i kishës ortodokse të Shkodrës, At Nikolla Petani, si dhe përfaqësues të kishës ortodokse të ardhur nga Mali i Zi, ceremonia e kësaj meshe është përshkuar nga ritet karakteristike të lutjeve dedikuar ringjalljes së Krishtit.
Gjatë predikimit të tij, kreu i Kishes Ortodokse në Shkoder, At Nikolla Petani uroi besimtaret ortodoksë të komunitetit të Shkodrës dhe më gjerë në rajonin verior. Në mesazhin e tij, përcjellë për besimtarët ortodoksë, At Petani theksoi se e Pashka ndihmon njeriun të shpëtojë nga mëdyshjet, individualizmi dhe të mbush me gëzim.
"Le t’i falim të gjitha në dritën e Ngjalljes. Drita e Pashkës ndriçon zemrat tona dhe na nxjerr nga errësira e mëkatit", u shpreh At Petani duke falenderuar besimtarët ortodoksë të Shkodrës .

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Pashket, urimi i plote i Kryepeshkopit Anastas Festimet e Pashkëve, fluks emigrantësh në kufi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›