Një krim ndaj Ilir Metës, me votën e Ilir Metës
Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë ka bërë sot një provokim të rëndë politik, duke pranuar kërkesën e Partisë Republikane për të marrë anëtarin e KQZ-së, që tashmë e ka LSI, në cilësinë e ish- partisë së dytë parlamentare në pushtet. Kërkesa është e pambështetur në Kodin Zgjedhor, i cili përcakton se një anëtar i KQZ lirohet nga detyra kur i mbaron mandati, kur jep dorëheqje ose kur kryen një vepër penale.
Ajo çfarë pritet është që Partia Demokratike ta çojë vendimin e saj në Kolegj Zgjedhor, ose parlament, dhe në të dyja rastet ajo mund ta miratojë atë, edhe pse është shkelje e hapur dhe e rëndë e legjislacionit zgjedhor.
Argumenti politik që po përdor Partia Demokratike nuk qëndron fare. Fakti që LSI ka dalë nga qeveria tre muaj para zgjedhjeve, nuk ka fuqi prapavepruese për një vendim që është marrë kur ajo ishte pjesë e pushtetit. Mbi të gjitha nuk ka asnjë kuptim që ky vendim të merret për LSI, ndërkohë që një tjetër parti, Bashkimi i të Drejtave të Njeriut, deri në këto momente, njësoj si LSI, ka ikur nga opozita dhe mund ti bashkohet ndonjë koalicioni tjetër, të qendrës ose atij të PD-së. Në këto kushte do të duhej që Kodi të kishte parashikuar një afat deri kur një parti ka të drejtë të quhet e opozitës apo e pushtetit, dhe kjo datë është logjikisht koha kur bëhet plotësimi i anëtarëve të KQZ-së. Kodi elektoral nuk mund të parashikojë krizat politike. Ato janë legjitime dhe verifikohen nga zgjedhjet, jo nga rregulloret e KQZ-së.
Për ta konsumuar mungesën e argumentit politik, po marr një shembull të thjeshtë. Sikur Partia Socialiste të ishte parti e disiplinuar dhe katër deputetët e saj të mos kishin votuar për Berishën një javë më parë, ne sot do të kishim një qeveri teknike. Pra, Berisha do ishte rrëzuar. Pyetja që kam për Komisionin e Ligjeve është se si do të quheshin partitë politike në një situatë kur të gjitha mbështesin një qeveri teknike? Kush do ishte i pozitës dhe kush i opozitës? Pra, situata është tërësisht e papranueshme dhe rreshtimi politik nuk mund të përbëjë arsye ligjore për ndryshimin e anëtarit të KQZ-së. PBDNJ dhe LSI janë partitë e dyta, përkatësisht ish e pushtetit dhe ish e opozitës, por kanë ndryshuar të dyja pozicion. Ato e kanë fituar në rrugë ligjore anëtarin e KQZ dhe çdo ndryshim i pozicionit të tyre politik nuk ka lidhje me këtë ligj, por me ligjësitë e zhvillimit politik në Shqipëri.
Argumenti juridik i shumicës është përsëri i papranueshëm, por ka një precedent negativ që i favorizon. Është i papranueshëm dhe antikushtetues, pasi me një shumicë të thjeshtë në parlament, apo vendim Kolegji (nuk jam i sigurt si do të operojnë), ata nuk mund të ndryshojnë një situatë juridike të prodhuar nga Kodi Zgjedhor që është miratuar me 84 vota. Çdo produkt lidhur me KQZ duhet ti referohet Kodit Zgjedhor dhe duhet një shumicë absolute për ta legjitimuar atë.
Por Partia Demokratike dy muaj më parë ka bërë një gjëmë të tillë në parlament dhe LSI e ka votuar. Kur ishte fjala për ndarjen territoriale të mandateve, Partia Demokratike shkeli hapur Kodin Zgjedhor dhe kundërshtoi ndarjen e mandateve të ofruar sipas ligjit nga gjendja civile, duke ndryshuar mandatet në Korçë, Durrës, Tiranë dhe Berat dhe respektoi dëshirën e deputetit Edi Paloka që mandatet të mbeteshin njësoj si në vitin 2009. LSI, si pjesë e pushtetit të Berishës, e ka votuar këtë precedent të rrezikshëm antikushtetues, dhe i ka lënë një trashëgimi të ndyrë këtij Kuvendi, që përmes shumicave të thjeshta mund të hedhë poshtë produktet ligjore që burojnë nga kode dhe ligje me tre të pestat. Votimi në Kuvend me shumicë të thjeshtë i një ndarje territoriale të mandateve, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, krijoi precedentin që ligjet kushtetuese nuk kanë rëndësi, pasi mund të ndryshohen nga shuma të thjeshta. Të njëjtën gjë bëri Kolegji Zgjedhor dhe për shpërndarjen e KZAZ-ve në gjithë Shqipërinë, duke marrë kompetencat e KQZ-së, dhe duke e nxjerrë atë institucion jashtë loje.
Kur këto gjëma ndodhën, kemi paralajmëruar në një zë me opozitën, se ky është një krim i rëndë kundër procesit zgjedhor pasi po krijohet precedenti i ndryshimit të rregullave gjatë lojës, siç ndodhi në zgjedhjet e 8 majit 2011, kur u prodhua një procedurë e re ligjore pasi Lulëzim Basha humbi Bashkinë e Tiranës, dhe kjo procedurë ligjore legjitimoi gjetjen e votave rrugës për ta shpallur atë fitues.
Kjo është e gjitha ajo çfarë po ndodh. Sali Berisha po përdor trashëgiminë politike të krijuar nga mbështetja ligjore që i ka dhënë LSI dhe Ilir Meta për të asgjësuar tashmë politikisht Ilir Metën. Ai e përdori atë për të kapur gjithë institucionet, për të marrë Presidentin, Kryetarin e SHISH, prokurorinë, KLD dhe gjyqësorin, dhe tani këtë pushtet po e përdor për ta ndëshkuar si tradhtar. Ndaj Ilir Meta nuk e ka të lehtë të bëjë sikur nuk ka punë me të kaluarën. Ka punë e kaluara me të dhe të gjithë ne kokëpalarët, që tani duhet ta mbrojmë ne emër të parimeve që kemi mbrojtur, edhe kur ai ka votuar kundër nesh.
