AK në Durrës: PD-PS, pazare për kodin elektoral
Kreu i Aleancës “Kuq e Zi” akuzon dy forcat politike më të mëdha në vend për marrëveshje të fshehtë për mos realizimin e reformës zgjedhore. Kreshnik Spahiu e bëri këtë deklaratë nga Durrësi ku u zgjodhën 500 delegatë për Kuvendin Kombëtar që pritet të mbahet në muajin maj të këtij viti. Sipas Kreut të AK-së ekziston mungesë vullneti i përbashkët për të reformuar Kodin Zgjedhor.
“Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nuk janë të interesuar të ndryshojnë Kodin Zgjedhor, sepse duke bërë këtë, do të cënonin monopolin që kanë ata në drejtimin e shtetit. Megjithatë, ne nuk do të lejojmë asnjë aferë të tillë që të ndodhë”, theksoi Spahiu.
Gjithashtu Spahiu prezantoi edhe katër pikat që do të shërbejnë si kushte për dy partitë e mëdha PD-PS.
“Kemi 4 kushte që i drejtojmë PD-PS, lidershipit krododil të tyre.
1- Ndryshimi i ligjit zgjedhor, numërimi i votes proporcional kombëtar
2- të njihet vota e shqiptarëve
3- numërim elektronik, nuk mund të lejojme që votat të numërohen nga burimet njerëzore
4- hapësire mediatike" theksoi Spahiu.
Kreshnik Spahiu gjatë aktivitetit të organizuar shpërndau edhe karta të anëtarësisë për anëtaret më të rinj në qytetin bregdetar .