E Shtunë, 31 Tetor 2026

AK në Rrogozhinë, Spahiu thirrje për të larguar qeverinë

TIRANE- Aleanca Kuq e Zi zhvilloi një tubim në qytetin e Rrogozhinës ku qindra qytetarë iu bashkuan kësaj lëvizje politike. Të mbledhur në qytetin e njohur si “bastion” i demokratëve, u lëshuan thirrje për largimin e qeverisë.

I pranishëm në këtë aktivitet kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu u ndal në problematikat e qytetarëve qoftë ky i majtë apo i djathtë.
“Të largojmë qeverinë më të korruptuar në Evropë dhe ta bëjmë sa më parë, dukë bashkuar forcën e zërit dhe fuqinë e dijes. Të bashkuar do t’ia dalim të largojmë qeverinë e ministrave më të pasur në historinë 100 vjeçare të Shqipërisë” deklaroi kryetari i AK.

Lideri i kuqezinjve u ndal më tej tek bllokada që strukturat e pushtetit qendror dhe vendor kanë orkestruar ndaj aktivitetit politik të Aleancës KuqeZi. “Ata s’janë burra ata janë burracakë. Kanë angazhuar çdo qelizë të pushtetit të tyre që e trajtojnë si pronë të trashëguar për të bllokuar ortekun kuqezi i cili po mbledh rreth tij shqiptarët pa dallim feje, krahine, gjinie dhe bindje. Ata kanë frikë nga ne, kanë frikë nga ju, ata kanë frikë nga kuqezinjtë” – deklaroi lideri i kuqezinjve Kreshnik Spahiu. 

Në përfundim të aktivitetit me qytetarët e Rrogozhinës, Spahiu shpërndau karta anëtarësie për qindra të rinj dhe të reja.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›