E Diel, 1 Nëntor 2026

AKBN penalizon 67 subjekte minerare për shkelje ligji

TIRANË- Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore vendosi sot masa administrative për 67 subjekte minerare. Grupi i punës, i ngritur pranë këtij institucioni pasi ka shqyrtuar dokumentacionin që këto subjekte kanë paraqitur pranë AKBN-së, konstatoi disa shkelje qe lidhen me moszbatimin e ligjit minerar.

“64 subjekte nuk kanë paraqitur planin vjetor të punës dhe informacionin vjetor financiar, dy subjekte u ka mbaruar afati i lejes minerare dhe nuk kanë paraqitur pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore asnjë dokumentacion. Ndërsa një tjetër subjekt është propozuar revokimi i lejes minerare për shkak se që nga marrja e lejes minerare nuk ka paraqitur asnjë lloj dokumentacioni”,- thuhet në njoftimin e AKBN-së.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore bën me dije se subjektet e gjobitura, menjehëherë pasi të vihen në dijeni të këtij njoftimi duhet të fillojnë procedurat për të paguar detyrimet dhe të merren masa në mënyrë që veprimtaria minerare e tyre të jetë në përputhje me plotësimin e detyrimeve dhe kërkesave ligjore në fuqi.

Në rast të kundërt AKBN paralajmëron se nëse ky institucion vëren se do të vazhdojë mosrespektimi i detyrimeve ligjore atëherë masat që do të merren është propozimi i revokimit te lejes minerare.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›