E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja PS, Rama: Programi i ri për fitoren e zgjedhjeve

TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama prezantoi sot gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme programin e ri, që projekton të ardhmen sic tha ai dhe do ta cojë këtë forcë politike drejt fitores së zgjedhjeve. Programi i PS sipas Ramës është i ndarë në 4 kapituj të cilët janë: Rimëkëmbja e ekonomisë, Ripërtëritja e shoqërisë, Rivendosja e demokracisë dhe Ribashkimi me Europën.

"Ky është dokumenti themelor për rrugëtimin tonë drejt fitores së zgjedhjeve. Ky dokument afirmon vlerat e padiskutueshme tek të cilat ne besojmë, është një dokument për të gjithë shqiptarët që e duan ndryshimin. Ky dokument pasi të kalojë në kongresin e 5 nëntorit do kalojë dorë më dorë në çdo fshat e më pas do bëhet pjesë e e programit tonë qeverisës”, deklaroi Rama.

Në themel të programit të ri të Partisë Socialiste, Rama premtoi nxjerrjen e ekonomisë nga kriza, hapjen e 300 mije vendeve te reja pune, premtoi një politikë të re fiskale, heqjen e taksës së sheshtë dhe TVSH për produktet bazë. Kryesocialisti u shpreh se do të zgjidhet përfundimish cështja e pronave. Sipas tij "nuk do të ekzistojë me termi ish-pronar".

Rama ndër të tjera premtoi kthimin e transparencës në procedurat e tenderimit, uljen e kostos së jetesës për 90 % të qytetarëve, duke hequr barrën e taksës së sheshtë, një rrjet kombëtar të grumbullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore, heqjen e sistemit të referencave, infrastrukturë moderne.

Duke e vënë theksin tek një model i ri ekonomik Rama u shpreh se: “Jemi të bindur që i gjithë korpusi, puna jonë duhet të sintetizohet tek ekonomia. Duke i vënë prioritet ekonomisë rurale, të nxisim ekonominë prodhuese, duke synuar produkte cilësore dhe afatgjata. Ti japim prioritet sektorëve që nxisin punësimit”.

Rama tha se në programin e tij të ri, përgjegjësitë për borxhin që rëndon sot mbi supet e gjithë shqiptarëve të ngrihen në nivele kushtetuese.
“Çdo familje shqiptar sot paguan 65 dollarë për borxhin shumë më e madhe kjo, se fatura e energjisë dhe sa gjysma e pensionit. Ne do ia bëjmë të qartë çdo shqiptari se në xhepat e tij mungojnë 65 dollarë në muaj”, tha Rama.

Duke u ndalur tek punësimi, Rama premtoi më shumë vende të reja pune, sidomos për gratë e vajzat, bazuar kjo në programin e ri. "Jemi plotësisht të bindur për të ofruar trajnim profesional falas për të gjithë të papunët e regjistruar, 10-fishim i financimit publik për punësimin. Të përmbysim sistemin e vjetër të asistencës për të papunët. Ne kemi një program që i nxjerr të papunët në treg", nënvizoi Rama.

Si pjesë të programit të ri, Rama shtoi edhe një plan të përgjithshëm kombëtar, që sot Shqipëria nuk e ka, sic tha ia. “Shqipëria nuk e ka planin e Përgjithshëm Kombëtar, hartimi i tij është detyra jonë e parë. Ky plan i ri kombëtar, i një shoqërie në ngritje, i një kadastre shumë qëllimshme do të thotë më shumë investime vendase dhe të huaja”, nënvizoi Kreu i PS.

PS MBLEDH ASAMBLENE
Anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS-së do të mblidhen sot, në mesditë për të miratuar pak ditë para Kongresit projekt-ndryshimet në statutin e partisë si dhe draftin e programit politik, i cili është shumëfishuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, për t’ju paraqitur anëtarëve të Asamblesë.

Të dy variantet do të paraqiten në këtë mbledhje, për të respektuar rregullat e statutit të partisë, por pritet të´jetë Kongresi ai që do të pasurojë edhe me më shumë pika, dy dokumentet e reja.

Në rendin e ditës së asamblesë nuk mësohet se ka ndonjë temë, ndryshe, përveçse një diskutim edhe për zgjedhjet në strukturat e partisë, në nivel vendor. Aktualisht po vijojnë zgjedhjet për kryetarë të PS-së në nivel bashkish dhe komunash, proces i cili ashtu si edhe në zgjedhjet e mëparshme për kryetarë rrethesh po shoqërohet nga qejfmbetjet dhe debatet, në bazën e PS-së.

Në Asamblenë e sotme do të mbajë fjalën e rastit kryetari Edi Rama, i cili vetëm një ditë më parë i cilësoi ndryshimet që do bëhen në statut dhe program si instrumente që do t’i cojnë socialistët në fitoren e zgjedhjeve.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›