E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta historike e Arben Putos

U promovua dje në sallën e Akademisë së Shkencave prej Institutit të Librit dhe Promocionit "Toena", libri i akademikut Arben Puto "Shqipëria politike 1912-1939". Puto ka sjellë në vëmendje atë që e quan historinë e periudhës vendimtare të Pavarësisë, lindjes dhe krijimit të shtetit kombëtar shqiptar.

Arben Puto e nis këtë vëllim duke folur fillimisht për figurën e Ismail Qemalit, udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e më pas edhe kryetar i parë i Shqipërisë së pavarur. Sipas Putos, para se Ismail Bej Vlora të angazhohej në aktivitetin për shpalljen e pavarësisë, duhet thënë se ka qenë në shërbim të Perandorisë Osmane. "Madje ky angazhim vjen nga mosha e tretë, kur ai ishte rreth të 70-ave. Janë bërë përpjekje për ta quajtur Ismail Qemalin të kompromentuar, duke u nisur nga fakti se ka shërbyer për një kohë të gjatë për Perandorinë. Por këtu harrohet se cili ka qenë Ismail Qemali: një politikan me vizion të gjerë", shprehet akademiku Arben Puto. Ai vazhdon më tej duke shtuar se Ismail Qemali ka qenë një bashkëpunëtor i konstitucionalistit të madh turk, Mitat Pashës, i cili në vitin 1876 doli me një Kushtetutë reformuese të Perandorisë, duke tentuar ta kthente atë në një komunitet, në një bashkësi shtetesh dhe kombesh të barabarta. Kur Ismail Qemali u bind se nuk kishte më se çfarë të jepte për Perandorinë, sidomos pas vrasjes se Mitat Pashës, atëherë vendos të kthehet dhe të angazhohet plotësisht në çështjen shqiptare. Një tjetër pikë në të cilën ndalet gjatë librit të tij "Shqipëria politike 1912-1939" është edhe ndërhyrja e Amerikës në Evropë e më shumë akoma në çështjen shqiptare. Ai thekson se Amerika nuk ka qenë shumë e angazhuar me atë që ndodhte me kufijtë e Evropës. Ajo ka qenë e tërhequr. "Në politikën e jashtme amerikane dominonte parulla e mosndërhyrjes në punët e Evropës, e kështu ajo nuk ndërhyri as në Konferencën e Ambasadorëve në vitin 1912-‘13", vazhdon më tej autori i librit.

Për herë të parë, Amerika merr pjesë në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore me ardhjen e Presidentit Uillson. "Ky President ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për çështjen shqiptare. Ai iu përmbajt parimit e vizionit të tij që pati shpallur me 14 pikat e famshme. Sigurisht, aty-këtu, mund të ketë bërë ndonjë lëshim, që i ka dhënë shkas historiografisë së mëparshme për ta quajtur atë si bashkëpunëtor në cenimin e dëmtimit të popullit shqiptar. Por në të vërtetë nuk është kështu. Në librin tim, unë provoj se Presidenti Uillson me gjithë ca lëshime të pjesshme që bëri, ka qenë favorizuesi më i madh për çështjen shqiptare, për rikonfirmimin e shpalljes së pavarësisë", thotë më tej Puto. Ai ndalet më tej edhe në atë lëvizjen e qershorit të vitit 1924 me në krye Fan S. Nolin, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin. "Unë e trajtoj hollësisht në libër këtë çështje dhe jam i bindur se nuk kemi të bëjmë me një grusht shteti. Sipas meje, kemi të bëjmë me një përpjekje për një ndryshim thelbësor të rrënjëve sociale, pra për një ndërhyrje serioze në sferën sociale. Por mendoj se ishte një lëvizje shumë e parakohshme për situatën në të cilën ndodhej vendi. Mendoj se ishin hapa të pavendë, të cilat u kthyen kundër interesave të lëvizjes". E një tjetër personazh interesant i kësaj periudhe, të lindjes dhe ndërtimit të shtetit shqiptar, ishte sigurisht edhe figura e Mbretit Zog. "Regjimin zogist, unë e kam ndarë në dy pjesë. Së pari, si një regjim, i cili ishte diktatorial, nuk ishte pluralizëm, kishte censurë për shtypin, zgjedhjet ishin false, Parlamenti ishte fiktiv... Ky ishte regjim, por nga ana tjetër ishte shteti dhe duhet thënë se Mbreti Zog konsolidoi themelet e shtetit shqiptar, i cili tashmë nuk ishte një shtet fiktiv. U kthye në një shtet që u ngrit dhe funksionoi, kishte një legjislacion shumë të përparuar, ligji botohej dhe zbatohej", shprehet akademiku.

Disa nga pikat në të cilat Arben Puto ka hedhur dritë në librin e tij "Shqipëria politike 1912-1939" janë Pavarësia e Shqipërisë: "krijimi i shtetit shqiptar është produkt i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare apo ishte produkt i diplomacisë e Fuqive të Mëdha të kohës? Unë e kundërshtoj me argumente dhe ngulmoj në tezën se Pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e shtetit shqiptar vjen si rezultat i shqiptarëve, duke filluar prej Rilindjes Kombëtare e deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore", komenton ai. Një tjetër pikë të cilën e ka shtjelluar duke argumentuar me teza të reja është edhe politika e jashtme e Zogut, për të cilën ai ka bërë një analizë të hollësishme. "Mbreti Zog është nisur me dëshirë për të ruajtur pavarësinë dhe për të mbajtur fjalën e dhënë se nuk do të binte kurrë në duart e Italisë, por në fakt ai ra, e më tej në vitin 1939, pati iluzionin se kishte siguruar të ardhmen e vendit, por nuk ishte kështu". "Shqipëria politike 1912-1939", është hartuar mbi një bazë të gjerë punimesh, arkivave të brendshme dhe të jashtme, i plotësuar me burime bibliografike dhe dokumentare. Autori i përmbahet rigorozisht burimeve dhe jep gjykimet e tij për faktet dhe ngjarjet, i çliruar nga çdo ndërhyrje jashtëshkencore, i ndarë nga çdo version zyrtar. Ideja kryesore që përshkon të gjithë veprën është se Pavarësia dhe krijimi i shtetit shqiptar janë produkt i lëvizjes kombëtare shqiptare. Libri tenton t‘u japë përgjigje problemeve të ndryshme që dalin në jetën e brendshme të vendit e në procesin e dyanshëm të arritjeve të rëndësishme dhe të kufizimeve të regjimit represiv. Agresioni i prillit 1939 është përfundimi logjik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›