E Diel, 1 Nëntor 2026

Panajotis Koliomihalis:Si i kam mbledhur kartëpostalet e rralla shqiptare

Për vite me radhë ka kërkuar për të ngritur një tempull të vogël shqiptar. Një koleksion me mijëra personazhe shqiptare, me imazhe të rralla të natyrës, me harta, gravura dhe qindra botime të veçanta. Koleksionisti grek, Panajotis Koliomihalis, ka ardhur në Tiranë të ekspozojë një "thesar", të cilit i ka kushtuar 40 vite të jetës së tij. Pasioni dhe ndjesia shqiptare që i ka trashëguar i ati, për të mjafton si justifikim. Të tjerë do ta quanin një mundim deri në caqet e marrisë. Stenda të tëra janë ngritur në sallën e Muzeut Historik Kombëtar. Një udhëtim imazhesh të çon në Shqipërinë e viteve 1800, në gjysmën e parë të ‘900-ës, në vitet e diktaturës, në hapjen e madhe të vendit, për të mbërritur në ditët e sotme. Janë 3200 kartëpostale që i ka sjellë në ekspozitën "Shqipëria nga 1892 deri më sot, nëpërmjet postëkartave shqiptare", e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë dhe Muzeu Historik Kombëtar. Të tjera ruan në shtëpinë e tij. Janë realizuar nga fotografë të njohur shqiptarë si Marubët, por edhe të tjerë të kohës, të panjohur. Nga pas mbajnë mesazhe përshëndetjeje, falënderimi, urimi për festa apo edhe shënime për kërkesa të caktuara. Deri më tani, ky mikrokozmos social dhe kulturor shqiptar është ekspozuar në 15 vende të botës, duke u vlerësuar e nderuar me 15 medalje nderi. Për herë të parë vjen në Shqipëri. Panajotis ndjehet i shpërblyer nga miqësia që i ofrohet. Në hapjen e ekspozitës nuk ka vetëm njohës apo admirues të kulturës shqiptare. Ka edhe pacientë që Panajotis, në profesion mjek, i ka kuruar e ndihmuar në Greqi. Herë pas here, ai ka sjellë edhe ndihma në vendin tonë. Për kontributin e dhënë, në vitin 2006, është vlerësuar me medalje nga ish-presidenti, Alfred Moisiu. "Dikur, babai më kishte thënë se, nëse Shqipëria do të kishte ndonjëherë nevojë, duhet ta ndihmosh. Këtë bëra edhe unë". E quan një formë amaneti të të atit që ai është munduar ta përmbushë. Rrënjët e Kolomihalis gjenden në Lunxhëri. Pas mbylljes së kufijve, i ati mbeti në Greqi. Tregon se që në fëmijëri është ushqyer me dashurinë për Shqipërinë. Për të nuk është e rastit që gjurmon gjithçka që e lidh me këtë vend. Procesi i koleksionimit nuk ka qenë edhe aq i lehtë. Koliomihalis tregon se pjesën më të madhe të kartëpostaleve i ka blerë në rreth 30 vende të botës. Një pjesë të vogël, edhe në Shqipëri. Sipas tij, ai adhuron gjithçka që zotëron sot, por në veçanti, ato që ka arritur t‘i sigurojë edhe më me vështirësi. Në këto vite gjurmimesh, ka edhe episode të veçanta, të cilat ai nuk preferon t‘i thotë publikisht. Sigurisht i ka ndarë me miqtë, të cilët tregojnë se ai ka harxhuar paratë që duhet t‘i dërgonte djalit ushtar, i tunduar nga një hartë e vjetër e Shqipërisë. Ndërsa tregon se ka përjetuar emocione të mëdha në ankande, ku nuk e kishte të sigurt nëse objektet do të bëheshin të tijat. Emocione të tilla i ka përjetuar për vite me radhë. Sot, kur kërkimi i tij vazhdon, beson se ka arritur diçka nga qëllimi që i kishte vënë vetes.

Një ekspozitë me mijëra kartëpostale. Si ka nisur te ju ky pasion?

Nga dashuria që babai më transmetoi për Shqipërinë. Familja e tij jetonte në Lunxhëri. Kur u mbyllën kufijtë shqiptarë, babai im mbeti në Greqi, kurse e motra e tij këtu. Marrëdhëniet mes tyre u shkëputën. Në atë kohë, ishte e vështirë të merrje çdo gjë që vinte nga Shqipëria. Letra e parë që im atë mori nga e motra i dha shumë lumturi. Deri atëherë, nuk e dinte nëse jetonte, ndërkohë që i shkruante se ishte bërë edhe me fëmijë.

Ku i keni mbledhur më së shumti materialet e koleksionit tuaj?

Duke kërkuar në të gjithë botën, në të paktën 30 shtete për 40 vjet me radhë. Në Shqipëri nuk kam gjetur shumë të tilla. Por këto që kam ekspozuar këtu, janë vetëm gjysma e atyre që unë zotëroj.

Kur nisët të koleksiononit, a e kishit menduar se një ditë do të kishit kaq shumë kartëpostale? Sa i vështirë ka qenë ky proces?

Kur i vë një objektiv jetës sime, "i futem punës me turinj", siç thotë një fjalë e urtë e jona. Që në fillim, e kisha idenë se dikur këto do të bëheshin shumë. E vërteta është se e mendoja më të lehtë këtë proces. Por kam përjetuar emocione deri sa një kartëpostale është bërë e imja. I dua që të gjitha ato që kam mbledhur, por veçanërisht ato që kam marrë me më shumë vështirësi, ato që shiteshin në ankande të hapura, ku unë nuk e dija nëse do arrija t‘i blija.

Shqipërinë e njihnit nga rrëfimet e babait tuaj. Kur e keni vizituar për herë të parë?

Ka qenë në vitin 1989, ose diçka nga fillimi i ‘90, nëse nuk gaboj. Më së pari kam mbërritur në Sarandë. Aty kisha operuar një pacient dhe shkova ta pyesja se si po shkonte me shëndetin. Më pas, udhëtova në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Në koleksionin tuaj, ka personazhe dhe natyrë shqiptare nga një pjesë e mirë e Shqipërisë. Si e keni përjetuar këtë vend përmes këtyre kartëpostaleve?

Besoj se kushdo që do t‘i shohë këto kartëpostale do të ketë idenë që po sheh gjithë historinë e shekullit XX të këtij vendi: kulturën, fshatrat, veshjet. Shqiptarët duhet të jenë krenarë, sepse përmes këtyre ekspozimeve duket se sa nikoqirë kanë qenë në atë kohë.

Si ju duket Shqipëria sot?

Gjithçka ndryshon. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e botës. Ajo që mbetet, gjithë ky udhëtim përmes kartëpostaleve është shumë i bukur.

Në profesion ju jeni mjek dhe keni ndihmuar shumë shqiptarë...

Dikur, babai më kishte thënë se, nëse Shqipëria do të kishte ndonjëherë nevojë, duhet ta ndihmosh. Këtë bëra edhe unë.

Çfarë e lidh mjekësinë me filatelinë?

Janë gjëra të ndryshme, thjesht është dashuria si për njërin profesion ashtu edhe për tjetrin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›