E Diel, 1 Nëntor 2026

AKEP: Fundi i 2011, gati metodologjia për liberalizimin e 3G-së

SHKRUAN: Sabina Veizaj 16-03-2011 12:50

Pritet që brenda vitit 2011, AKEP të konkludojë metodologjinë e liberalizimit të tregut 3G, me pretendimin e dhënies së licencave të tjera për këtë teknologji operatorëve të telefonisë së lëvizshme. Kreu i AKEP, Piro Xhixho i është përgjigjur dje pyetjeve të opozitës, në lidhje me tregun e internetit dhe tregun postar në vend, gjatë seancës së Komisionit Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese. Deputeti socialist, Ilir Beqja, evidentoi

se çmimet që paguajnë shqiptarët për internetin janë të shtrenjta, në lidhje me vendet e rajonit dhe kërkoi që Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të rregullojë tregun e internetit me brez të gjerë, duke çelur në një afat konkret procedurat për dhënien e licencave të tjera 3G. “Deri në fund të qershorit do të kemi fazën parapërgatitore. Deri në fund të nëntorit 2011, do të nisim procedurat e qarta për planin e liberalizimin e tregut të internetit me bazë të gjerë, duke i dhënë mundësi edhe operatorëve të tjerë të telefonisë celulare të aplikojnë për këtë licencë” - u shpreh Xhixho. Deputetët socialistë theksuan se jemi vendi i vetëm në rajon që e kemi shpejtësinë e internetit më të ulët dhe çmimet më të larta, pikërisht për këtë, sipas tyre, kërkohet liberalizimi i këtij tregu. Nga ana e tij, kreu i AKEP nënvizoi se vendi ynë për sa i përket internetit është në mesataren e rajonit me 2 megabit shpejtësi të internetit. Kuvendi, bashkë me propozimet e opozitës, përgatitën një draft rezolutë në lidhje me kërkesat ndaj AKEP për vitin 2011. Ndër të cilat, këtij Autoriteti kuvendi i kërkon të mbrojë tregun e komunikimeve elektronike dhe postare, të përfundojë legjislacionin në këtë fushë, të përfundojë procesin e Portabilitetit të numrit dhe të informojë publikun në lidhje me rrezatimin e antenave të telefonisë celulare.

Duke iu referuar shërbimeve të teknologjisë 3G, që kupton shërbimin e internetit me bazë të gjerë, aktualisht ofrohen nga një operator i vetëm, i cili është Vodafone Albania, i cili u pajis me licencën e ofrimit të shërbimit në fjalë pas fitimit të tenderit prej 31 400 000 euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›