Evazioni fiskal, projekt i ri për rritjen e gjobave të penaliteteve
Forcohen penalitetet ndaj subjekteve që shmangin regjistrimin dhe atyre që nuk deklarojnë numrin e saktë të punonjësve. Ministria e Financave ka bërë gati tashmë ndryshimet në procedurat tatimore, të cilat janë depozituar në kuvend në formën e një projektligji. Kështu subjektet që paguajnë TVSH dhe Tatimin mbi Fitimin, për çdo punonjës të padeklaruar, gjobiten me 100 mijë lekë gjobë dhe tatimpaguesit e tjerë me 50 mijë lekë të reja. Ndërsa shkelja e afatit për deklarimin e punonjësve kushton 10 mijë lekë. Në këtë kuadër punëdhënësit duhet të deklarojnë të larguarit nga puna 10 ditë pas largimit. Ndërsa kur administrata tatimore vëren persona që nuk janë regjistruar në QKR, atyre u mbyllet veprimtaria dhe u sekuestrohen të gjitha materialet. Ndërkohë që pas kësaj mase, bizneseve u hiqen edhe lejet dhe licencat përkatëse. Gjithashtu, nëse për pesë vite kalendarike bizneset rezultojnë mosdeklarues, ata menjëherë kalojnë në regjistrin pasiv të QKR-së. Gjithashtu janë forcuar masat dhe gjobat edhe për moslëshimin e kuponave. Kështu gjobat për mos lëshim kuponi të saktë variojnë nga 100 mijë lekë, në 500 mijë lekë. Gjithashtu shoqëritë që tregojnë kasa gjobiten nga 50 mijë, deri në 100 mijë lekë, nëse nuk zbatojnë kontratën me financat për kontrollin teknik të kasave.