AKEP: Si mund të ndryshohen kompanitë pa ndryshuar numrin e celularit
Ervin KOÇI
Të gjithë abonentët shqiptarë të kompanive të telefonisë celulare dhe asaj fikse, mund ti ndryshojnë kompanitë ku janë regjistruar fillimisht po pa ndryshuar numrin telefonik. Disa ditë ma parë është miratuar rregullorja që lejon mbajtjen e të njëjtit numër telefoni pavarësisht ndryshimit të kompanisë së telefonisë. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, pas konsultimeve të gjata me operatorët, miratoi dokumentin mbi bazën e të cilit mundësohet ndryshimi i operatorit, duke mbajtur të njëjtin numër. Portabiliteti është i vlefshëm si për numrat fiks, ashtu edhe për ata celularë. Rregullorja parashikon që bartja e numrit të bëhet brenda tre ditësh pune nga paraqitja e kërkesës. Përdoruesi që dëshiron të bartë numrin e tij tek një operator tjetër mund ta bëjë këtë me një ndalesë të vetme dhe kjo ndalesë do të jetë operatori marrës, pra, ai ku përdoruesi dëshiron të kalojë. AKEP i njeh të drejtën operatorëve dhënës që në kontratat me përdoruesit të vendosin që në fillim një tarifë për bartjen e mundshme të numrit, por kjo tarifë nuk mund të jetë më e lartë se 600 lekë. Operatori marrës është i detyruar t’i njoftojë çdo numri që thërret një numër të bartur, përpara kryerjes së thirrjes faktin që ky numër është bartur dhe operatorin ku është bartur. Kjo është e detyrueshme të bëhet për shkak të transparencës në tarifim, sepse dihet që thirrjet drejt rrjeteve të ndryshme kanë çmime të ndryshme. Ende nuk ka një afat të qartë për implementimin e plotë të kësaj rregulloreje dhe mundësimin e bartjes së numrit, megjithatë sipas AKEP gjithçka do të jetë gati mes fundit të këtij viti dhe fillimit të vitit të ardhshëm.
Tregu i telefonisë
Në fund të muajit qershor në tregun shqiptar të telefonisë së lëvizshme do të hyjë edhe kompania e katër celulare. Sipas të dhënave nga AKEP-i, mësohet se operatori i katërt celular, "Mobile 4 Al", pritet që të hyjë në treg në javën e parë të muajit korrik. Pas kësaj, përfaqësuesit e AKEP-it, presin që tregu të ketë një rritje të konkurrencës, shërbime më të mira, ulje tarifash dhe teknologji të përparuar. Pas futjes në treg të operatorit të tretë, në raportin e AKEP, janë dyfishuar përdoruesit e telefonisë së lëvizshme, krahasuar me një vit më parë dhe po ashtu është dyfishuar koha e bisedës. Ndërkohë me hyrjen e operatorit të katërt shpresohet se do të ketë një element plus në rritjen e konkurrencës. Kompania e katërt celulare është një konsorcium në të cilën Postë Telekomi i Kosovës (PTK) ka 30 për qind të aksioneve dhe pjesa tjetër prej 70 për qind të aksioneve përbëhet nga kompani shqiptare. Licenca për këtë kompani u dha në muajin prill të vitit të kaluar për 7.2 milionë euro. Në tregun shqiptar janë tashmë të pranishme “AMC”, “Vodafone Albania” dhe “Eagle Mobile”.
Interneti
Brenda një kohe të shkurtër tregu i internetit në Shqipëri do të njohë zhvillime të mëdha falë futjes së teknologjisë “3G”. Drejtuesit e Autoritetit deklarojnë se teknologjia “3G” do të bëjë një transformim shumë të madh të mënyrës së përdorimit të telefonisë. Aktualisht mësohet se është mbaruar studimi për brezin. “Kemi marrë vendimet përkatëse për mënyrën se si do të procedojmë dhe jemi në momentin e vendimmarrjes që lidhet me dokumentin e politikave që është në proces miratimi në Këshillin e Ministrave. Mendojmë që brenda këtij viti të shfaqim edhe operatorë që shfrytëzojnë brezin e OMTS”,- deklaroi pak kohë më parë kreu i AKEP-it, Pirro Xhixho.
Tatifat
Duke filluar nga data 1 korrik AKEP-i do të shfuqizojë rregullimin e tarifave me pakicë për kompanitë celulare “AMC” dhe “Vodafone Albania”. Në vitin 2007, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve vendosi rregullimin e tarifave me pakicë për “AMC” dhe “Vodafone Albania”, në dy planet kryesore tarifore me parapagesë, “Albakarta” dhe “Vodafone Card”. Si pasojë e uljes së tarifave telefonike, AKEP konstaton dyfishim të thirrjeve dalëse mujore nga konsumatorët për 2009-ën, krahasuar me vitin paraardhës, nga mesatarisht 30 në 60 minuta. Aktualisht në Shqipëri janë mbi 4 milionë përdorues të telefonisë së lëvizshme, çka do të thotë se numri i përdoruesve është në raporte të njëjta me vendet e Bashkimit Evropian. Me futjen e operatorit të katërt numri i përdoruesve pritet të rritet akoma edhe më tepër.
Kursimet
Rritja e konkurrencës në tregun e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri ka sjellë kursimin e 35 milionë eurove nga klientët e kompanive celulare në vend gjatë vitit të kaluar. Deri tani në sektorin e telefonisë celulare janë lëshuar katër autorizime individuale: “AMC, sh.a”, “Vodafone Albania, sh.a”, “Eagle Mobile, sh.a”, “Mobile 4 Al sh.a”. Operatori “Mobile 4 Al” është operatori i katërt celular GSM, të cilit iu akordua autorizimi individual nga AKEP-ja më datë 26.06.2009.
29 Prill 2010