BSH-ë, ekonomia bëri “në vend numëro” në 3 muajt e parë të vitit
Ervin KOÇI
Ekonomia shqiptare duket se ka ngecur në vend dhe nuk ka bërë hapa përpara gjatë vitit 2010. Këtë e fakt e ka pohuar dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një konference për shtyp pas përfundimit të mbledhjes së radhës së Këshillit Mbikëqyrës. Sipas kreut të BSH-së, situata ekonomike në vend nuk ka shënuar asnjë përmirësim të ndjeshëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2010. “Bazuar në të dhënat paraprake, prodhimi i brendshëm bruto ra me 0.8 për qind në terma vjetorë gjatë këtij tremujori. Kjo ecuri është përcaktuar nga tkurrja e investimeve private dhe publike, si dhe nga ngadalësimi i ndjeshëm i konsumit privat. Ritmet e ulëta të rritjes së pagave dhe punësimit, rënia e remitancave, tkurrja e kredisë konsumatore, si dhe evidenca për një orientim më të madh të konsumatorëve drejt kursimit, vlerësohet se kanë diktuar një ecuri të ngadaltë të konsumit si në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Investimet private janë tkurrur gjatë këtij tremujori, në kushtet e ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe të jashtme dhe të niveleve të ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve. Siç tregohet nga ecuria e treguesve fiskalë, monetarë dhe nga pritjet e biznesit e të konsumatorit, ecuria e ekonomisë vendase vlerësohet e ngadaltë në muajt e parë të këtij viti”,- ka deklaruar Guvernatori Fullani.
Niveli i inflacionit
Fullani tha se inflacioni në 3 muajt e parë të vitit 2010 ka shënuar nivelin 4.1 për qind. Sipas tij, në rritjen e inflacionit ndikoi rritja e çmimit të energjisë me 0.5 për qind dhe karburanteve. Fullani theksoi se, vetëm për muajin mars, inflacioni shënoi 3.9 për qind.
“Rritja e inflacionit gjatë muajve të parë të vitit është kushtëzuar në një masë të madhe nga faktorë të ofertës. Përveç rritjes së çmimit të energjisë elektrike, oferta e kufizuar e prodhimit bujqësor vendas, tendenca rritëse e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, në prani të efektit të nënçmimit të monedhës vendase, kanë ushtruar presione në kahun rritës mbi inflacionin. Megjithatë, këta faktorë gjykohet të kenë një natyrë të përkohshme në inflacion”,- tha më tej Fullani. Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë gjatë dy muajve të parë të këtij viti karakterizohen nga ngushtimi i deficitit tregtar të vendit. Deficiti tregtar është ngushtuar me rreth 20 për qind në terma vjetorë, duke reflektuar rritjen vjetore të eksporteve dhe rënien vjetore të importeve, respektivisht prej 31 dhe 7 për qind. Në veçanti, rritja e kursimit në ekonomi duhet të inkurajohet nëpërmjet thellimit dhe zbatimit të reformës në sistemin e pensioneve. Kjo reformë do të mbështesë qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij sistemi si dhe do të krijojë kushtet e duhura për gjenerimin e më shumë fondeve financiare të brendshme, duke i shërbyer edhe korrektimit të deficitit të llogarisë korente të vendit.
Politika fiskale
Politika fiskale në muajt e parë të vitit 2010 ka ndjekur trendin e frenimit të ekspansionit fiskal, të shfaqur që gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009. Shpenzimet buxhetore janë rritur me ritëm të përmbajtur, prej rreth 4 për qind në terma vjetorë. Nga ana tjetër, ngadalësimi i kërkesës vazhdon të diktojë ritme të ulëta të rritjes së të ardhurave buxhetore. Ndjekja e një politike fiskale të kujdesshme, ndonëse mund të japë një kontribut më të pakët në rritjen ekonomike të këtij viti, do të ndihmojë konsolidimin e treguesve fiskalë në nivele të shëndetshme. Dy muajt e parë të vitit janë karakterizuar nga një vazhdimësi e ecurisë pozitive të treguesve monetarë. Oferta e parasë u rrit mesatarisht me 8.3 për qind në terma vjetorë, e mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave në valutë. Ndërmjetësimi i ulët i sistemit bankar krijoi pak hapësira për rritjen e parasë së gjerë në ekonomi.
Kreditimi
Guvernatori Fullani tha se, prirjet një nivel i ulët kreditimi gjatë vitit 2010 dhe nivele ende të larta të papunësisë do të kushtëzojnë ecurinë e kërkesës agregate në ekonomi. “Kreditimi për ekonominë, ndonëse është rritur me ritme më të larta se në tremujorin e fundit të vitit 2009, mbetet në nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat, pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, rezultoi 5.4 për qind në muajin shkurt. Kredia për biznese ka pasqyruar një ecuri më të mirë në muajt e parë të këtij viti, si rrjedhojë e përmirësimit të likuiditetit në valutë dhe lehtësimit të kushteve të kreditimit për ta. Nga ana tjetër, kredia për individë vazhdon të tkurret me ritme të njëjta me ato të fund-vitit të kaluar. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, kërkesa për kredi mbetet e ulët, e kushtëzuar nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend dhe sjellje më e kujdesshme e agjentëve ekonomikë në drejtim të kredi-marrjes”,- tha Fullani. BSH ka lënë të pa ndryshuar edhe normën bazë të interesit në 5.25 për qind.
29 Prill 2010