Vendimi i Qeverisë, rritje çmimi për karburantet dhe vajrat lubrifikant
Çmimet e karburanteve pritet të pësojnë një rritje të ndjeshme në tregun shqiptar brenda pak javësh. Javën e ardhshme pritet që të kalojë në Parlament një draft i ri i Qeverisë që propozon rritje të akcizave për karburantet dhe disa mallra të tjerë. Tatimi për akcizën e karburanteve sipas propozimit të qeverisë do të jetë 4 miliardë lekë më i lartë se vitin që shkoi, por kjo rritje e tatimit nuk do të mbetet në arkën e biznesit, i cili gjithçka do ta pasqyrojë tek çmimi në xhepin e konsumatorit. Produktet që do ti nënshtrohen vlerave të reja të akcizës, janë nafta, vajrat e makinave, lëndët tjera djegëse dhe hidrokarburet aciklike. Sipas projektit të qeverisë, propozohet të vendosen produkte me akcizë për:
1- Vajgurin 20 lekë/litri, 2- Naftën virgine, 70 lekë/litri. Gjithashtu rritet shkalla tatimore për: 1- Lëndët djegëse, vajra të rënda, solar, mazut, nga 13 në 37 lekë/kg, 2- Hidrokarbure aciklike si etilen, benzen, etj., nga 5 në 37 lekë/ kg. Qeveria parashikon të ketë një efekt financiar të detajuar për secilin nga mallrat me: 2.1 miliardë lekë për naftën virgine, 6.8 milionë lekë për vajgurin, 2.1 miliardë lekë për solarin dhe mazutin dhe 841 milionë lekë për hidrokarburet aciklike.
Nis punimet konferenca “Korridori 8, një urë mes Adriatikut dhe Detit të Zi”
Në kuadrin e iniciativës së ndërmarrë nga Ambasada italiane, “Italia dhe Shqipëria 2010: dy popuj, një det, një miqësi”, në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Transportit, Ministrinë italiane të Veprimtarisë Ekonomike dhe Agjencinë italiane të Doganave, nis sot në Tiranë konferenca “Korridori 8, një urë mes Adriatikut dhe Detit të Zi”. Në këtë konferencë marrin pjesë: Kryeministri Sali Berisha, Ministrat shqiptar, italian, maqedonas dhe bullgar të transportit, si dhe përfaqësues të Komisionit Europian, të Administratës Doganore të vendeve të Ballkanit, të institucioneve financiare ndërkombëtare si BEI, BERZH, BB, etj. Konferenca synon të nxis një debat konkret dhe të frytshëm për ti kushtuar vëmendjen që meriton aksi i Korridorit 8 në kuadrin e ri të Planifikimit të Integruar që parashikohet në Traktatin mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pritet të miratohet në vitin 2010. Në këtë konferencë do të paraqiten edhe rezultatet e një studimi Fizibiliteti të kryer nga Agjencia Italiane e Doganave, në bashkëpunim me Administratën Doganore shqiptare, bullgare dhe maqedonase. Studimi bën një analizë të dobishme për procedurat doganore aktuale, ndërsa vë theksin mbi aspekte pozitive dhe dobësitë e sistemeve të zhdoganimit.
29 Prill 2010