Çmimet celulare të pakicës, ja si parashikohet ecuria
Reduktimet e tarifave të interkoneksionit në nivelet e miratuara nga AKEP, pritet të kenë efekt pozitiv në tregjet me pakicë të shërbimeve celulare dhe të telefonisë fikse. Ndikimi në telefoninë fikse do të jetë direkt në pagesa më të ulëta për terminimin e thirrjeve dhe në kosto me të ulëta për thirrjet telefonike fiks-celulare, pra dhe në tarifa më të ulëta për këto thirrje. Gjithashtu, reduktimi i diferencës midis tarifave të terminimit në rrjetet celulare dhe fiks do të ndikojë pozitivisht në aftësinë konkurruese të operatorëve fiks, edhe me shërbimet celulare, ku vihet re një efekt zëvendësimi më i ndjeshëm se në vitet e mëparshme. Efekti i reduktimit të tarifave të terminimit në rrjetet celulare do të ndikojë në rritjen e konkurrencës në tregun celular, nëpërmjet uljes së kostos së thirrjeve ndërmjet operatorëve, të cilat aktualisht janë në nivele të larta. Tarifat aktuale të thirrjeve jashtë rrjetit dhe të SMS-ve, brenda dhe jashtë rrjetit, në shumicën e programeve tarifore, përveç promocioneve dhe programeve të caktuara, duket se janë shumë me të larta se kostoja e ofrimit efiçent të tyre (përfshirë edhe një vlerësim për kostot retail). Reduktimi i tarifave të terminimit për këto shërbime, duhet që në kushtet e konkurrencës efektive në tregun me pakicë të shoqërohet apo ndjehet në reduktime të tarifave me pakicë për këto shërbime. AKEP, parashikon që ndikimi i reduktimit të tarifave të terminimit në rrjetet celulare në konkurrencën në tregun me pakicë celular, të jetë më i madh se thjesht reduktimi i tarifave të thirrjeve jashtë rrjetit në masë të njëjtë me reduktimin absolut të tarifave të terminimit. Këto reduktime të tarifave të thirrjeve pritet të shoqërohen me reduktime të tarifave të SMS-ve (për shkak të reduktimit edhe të tarifave të terminimit të SMS-ve) ku pritet të çojnë në reduktime të mëtejshme të tarifave celulare dhe më të mëdha se ato që kanë ndodhur dy vitet e fundit.