Hajdutët e energjisë, ja fatura shtesë
Të gjithë konsumatorët, të cilët do të abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur apo kryer lidhje të jashtëligjshme në rrjet, do të paguajnë një faturë shtesë sipas kategorive, veç faturës së bazuar në matës. Kjo mbështetet në rregulloren e hartuar nga Enti Rregullator i Energjisë dhe CEZ, që synon të krijojë udhëzimet për të minimizuar humbjet jo teknike në rrjetin e shpërndarjes, nëpërmjet kontrollit dhe gjetjeve të rasteve të ndërhyrjeve të jashtëligjshme dhe lidhjeve abuzive në rrjetin e shpërndarjes dhe sistemin e matjes. Duke iu referuar rregullores dhe tabelës përllogaritëse, për konsumatorët e vegjël, të cilëve iu faturohet 4000 kw/orë dhe abuzojnë përveç kësaj fature do të paguajnë një tjetër faturë të detyruar prej 3000kë/orësh. Ndërsa për konsumatorët e mesëm (Mates Tre – Fazore, më shumë se 25 A dhe deri ne 63 A), bashkë me faturën normale prej 10000 kw/orësh do të paguajnë edhe faturën penalizuese prej 8000 kw/orësh në rast abuzimi. Edhe konsumatorët e mëdhenj, në rast abuzimi me energjinë elektrike, përveç faturës normale prej 20 000 kw/orësh do të paguajnë edhe penalizimin prej 15000 kw/orësh. Sipas rregullores, penalizimi do të ndodhë në çdo rast të konstatimit të konsumit të energjisë elektrike, në mënyrë të jashtëligjshme, për shkak të ndërhyrjeve abuzive në rrjetin e shpërndarjes, duke nisur që nga marrja e energjisë para sistemit të matjes, marrja e energjisë nga lidhje të paligjshme në rrjet (përfshirë këtu dhe rastet e lidhjeve të dyta); marrja e energjisë nga pajisje matëse, që si pasojë e ndërhyrjes nuk pasqyrojnë vlerën reale të energjisë elektrike të konsumuar (marrja e energjisë nga rilidhje të paligjshme në rrjet, pasi është bërë ndërprerja njëherë për akses të paligjshëm në rrjet dhe marrja e energjisë nga rilidhje të paligjshme në rrjet, pasi është bërë ndërprerja për debi, dhe konsumatori rezulton përsëri debitor. Për të zbuluar abuzimet me energjinë elektrike, punonjësit e autorizuar të CEZ Shpërndarje do të kontrollojnë dhe verifikojnë çdo rast të lidhjeve/ndërhyrjeve të jashtëligjshme, në sistemin e matjes dhe rrjetin e shpërndarjes të konsumatorëve familjarë dhe jo familjarë. Punonjësit gjatë kontrollit do të mbajnë Proces-verbalin Tip të konstatimit të njohur dhe i miratuar nga CEZ Shpërndarje, Proces-verbalin e dërgimit të aparatit në laboratorin e matjes të energjisë elektrike (në rastin kur ndërhyrja e paligjshme është realizuar në aparatin matës), provat Laboratorike, fletë analizat e kolaudimit të matësit të energjisë elektrike, etj. Në të njëjtën kohë, bazuar në rregulloren e ERE, konsumatori ka të drejtë të njohë dhe të informohet mbi veprimet që do të kryen mbi sistemin e matjes së energjisë elektrike në objektin e tij, të kërkojë identifikimin e punonjësve të cilët do të kryejnë veprime në sistemin e matjes të energjisë elektrike, të kërkojë nga punonjësit e CEZ Shpërndarje, kopje të akteve të cilat pasqyrojnë veprimet e kryera nga ata, t’u sigurojë dhe t’u krijojë mundësinë punonjësve të CEZ Shpërndarje, për të inspektuar dhe kontrolluar sistemin e matjes së energjisë dhe pjesën e rrjetit të shpërndarjes, ku ai është i lidhur, sipas parashikimeve të Ligjit për Sektorin e Energjisë Elektrike dhe akteve rregullatore në fuqi. Gjithashtu, konsumatori ka të drejtë të denoncojë çdo konstatim nga ana e tij, të rasteve të ndërhyrjeve të jashtëligjshme, në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Konsumatori, pas rezultateve të kontrollit të kryer, ka të drejtë të ankohet brenda 5 ditësh tek CEZ dhe nëqoftëse nuk merr përgjigje i drejtohet ERE-s.