E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKEP, hapet gara për liçencën e 3-të 3G

TIRANË-Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), çeli një ditë më parë tenderin për liçencën e tretë 3G, me çmimin dysheme prej 12.5 milion euro.

Pas autorizimit të dhënë në fund të dhjetorit 2011 nga Ministri i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikacionit, Genc Pollo, bordi drejtues i AKEP vendosi ditën e mërkurë ti hapë dritën jeshile garës për liçencën e tretë 3G.

Në vendimin e marrë prej bordit drejtues, nisur dhe nga autorizimi i dhënë nga Ministri i ITIK, thuhet se çmimi dysheme me të cilin do të nisi konkurrimi do të jetë 12.5 milionë euro. Konkuruesit duhet të paraqesin ofertat e tyre brenda datës 24 shkurt 2012, ora 10:00 pranë zyrave të AKEP.

Garuesit duhet të paraqesin ofertën e tyre në një zarf jo transparent, të mbyllur e të vulosur, së bashku me emrin dhe adresën e kompanisë kandidate. Në të, gjithashtu duhet të jetë shënuar “Ofertë për marrjen e “1 (një) të drejtë përdorimit në brezat 1950-1965 MHz - çiftuar me 2140-2155 MHz dhe 1910-1915 MHz”.
Shpallja e fituesit do të bëhet mbas mbylljes së konkurimit. Oferta do të hapen nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO), me datë 24.02.2012, ne ora 10:00, ne ambientet e AKEP. Gjatë hapjes së zarfave mund të marrin pjesë drejtuesit e firmave kandidate, apo përfaqësues të autorizuar të këtyre firmave. Leximi i ofertave do të bëhet me zë të lartë nga komisioni, dhe fituesi i liçencës do të jetë “kandidati”, që ka vendosur ofertën më të lartë.
Dhënia e licencave 3G në vend ka qenë një proces hapash të suksesshëm që ka vijuar në kohë, siç dëshmon edhe përvoja e vendeve të tjera që kanë aplikuar më herët teknologjinë 3G.

Licencën e parë 3G e fitoi Vodafone me 31.4 milionë Euro (në nëntor 2010) dhe licencën e dytë e fitoi AMC me 15.1 milionë Euro (tetor 2011).

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›