E Diel, 1 Nëntor 2026

AKEP zhvlerëson vendimin e Qeverisë, tarifat në dorë të kompanive celulare

Tre kompanitë e telefonisë celulare në vend do të vendosin çmimin e pakicës, pa ndërhyrjen e rregullatorit


Tarifat e telefonisë celulare me parapagesë do të vendosen nga kompanitë celulare që operojnë në vend. Vendimi i qeverisë për uljen e detyruar të çmimit të telefonisë celulare me pakicë është shfuqizuar nga AKEP. Vendimi është justifikuar me faktin se masa e marrë në vitin 2008

ka dhënë efektin dhe rregullimi i tregjeve me pakicë të telefonisë celulare nuk është më i nevojshëm. AKEP vlerëson se me konsolidimin e operatorit të tretë dhe hyrjen e pritshme në treg të operatorit të katërt tregu me pakicë është kompetitiv. Vendimi i ri i AKEP do të hyjë në fuqi më datën 1 korrik 2010.


Vendimi
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka shfuqizuar rregullimin e tarifave me pakicë për AMC dhe Vodafone Albania. Në vitin 2007, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve pati vendosur rregullimin e tarifave me pakicë për AMC dhe Vodafone Albania, në dy planet kryesore tarifore me parapagesë, Albakarta dhe Vodafone Card. Vendimi mori fuqi të plotë ligjore në vitin 2008, pasi, bazuar në metodologjinë përkatëse, Këshilli i Ministrave miratoi uljen e detajuar të tarifave me pakicë. Por ndërkohë që janë hequr rregullimet në tregun me pakicë, do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi rregullimi i tregut të shumicës. Të tre operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri janë shpallur Operatorë me Fuqi të Ndjeshme në Treg (OFNT). AKEP ka marrë këtë vendim pas miratimit të variantit përfundimtar të analizës së tregjeve të telefonisë celulare. Për AMC dhe Vodafone Albania ky status ka ekzistuar edhe më parë, ndërkohë që Eagle Mobile është hera e parë që cilësohet si i tillë.


Ligji
Ligji i komunikimeve elektronike i përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, paraqiti një sërë rregullash të reja për këtë treg. Sipas ligjit, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve zëvendësohet me një institucion tjetër, që është Agjencia e Komunikimeve Elektronike (AKE). Në këtë projekt, parashikohet që të ketë një metodike të re për përcaktimin e operatorëve me fuqi në treg. Projekti përcakton që të hiqet pozita me fuqi në treg (FNT) e një operatori që ka më shumë se 24% të tregut, që përcaktohej sipas ligjit të vjetër dhe futet koncepti i ri, ku një sipërmarrës do të konsiderohet se ka FNT, nëse i vetëm ose së bashku me të tjerë zotëron një pozitë të tillë ekonomike, që mundëson një zgjerim të ndjeshëm dhe të pavarur nga konkurrentët, klientët apo përdoruesit përfundimtarë.


Referencat për tarifat
Projekti parashikon që AKE rregulloi tarifat sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj, duke iu referuar niveleve që zbatohen në tregun Evropian apo atë të vendeve të rajonit. Referuar ligjit, në këtë rast, tarifat e referencës mund të merren në nivel mesatar, ose duke përdorur teknika të gërshetuara për llogaritjen e tyre. Për të orientuar tarifat që përdorin konsumatorët përfundimtarë drejt kostos, që është edhe thelbi i këtij ligji, nevojitet që fitimi i realizuar në Shqipëri nga kompanitë me fuqi në treg të janë të ngjashme me fitimet mesatare në vendet e tjera të Bashkimit Europian, rajonit apo të vendeve të tjera në zhvillim. Enti Rregullator duhet të bëjë atë që ka katër vjet që nuk e bën, të llogarisë metodologjinë dhe kostot e operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg. Tarifat që rregulloi ligji ishin dy; shërbimet universale, që është shumë normale që të rregullohen me ligj, sepse kërkohen të realizohen objektivat sociale të qeverisë dhe në disa raste qeveria mund të mbulojë edhe një pjesë të tyre, ndërsa, rasti tjetër është ai i sipërmarrjeve me FNT në tregun përkatës.


Llogaritja e kostos së shërbimeve
Një nga problemet që paraqiste vështirësi ishte vlerësimi teknik, sipas specialistëve të këtij tregu, janë përcaktimet që lidhen me koston e shërbimeve që ofrohen në tregun e komunikimit elektronik. Në këtë treg ofrohet një gamë e gjerë produktesh që janë në rritje çdo ditë dhe përcaktimi i kostove të tyre mund të kërkonte një sërë matjesh dhe negociatash me bizneset që operojnë në këtë treg. Ligji detyron që me futjen e tij në fuqi, Agjencia e Komunikimeve Elektronike të marrë një sërë masash të nevojshme, ku në radhë të parë duhet që të përcaktojë kostot e këtyre shërbimeve. Në frymën e këtij projektligji, përcaktimi i kostove të shërbimeve dhe krahasimi i tyre me tarifat që ofrojnë kompanitë në treg, mbetet edhe treguesi i vetëm që mund ti vijë në ndihmë klientëve, për të pasur një nivel më të ulët të çmimeve. Siç u përmend edhe më larta, diferencat midis kostove dhe çmimeve do të krahasohen me ato të vendeve të tjera të rajonit apo në zhvillim, duke bërë që këto kompani që cilësohen me fuqi në treg të kenë një fitim të ngjashëm.

Metoda e Rregullimit të Tarifave
AKE mund të zbatojë rregullimin e tarifave nëpërmjet metodave të mëposhtme përcaktimin e nivelit minimal ose maksimal të tarifave korrigjimin e ecurisë së tarifave duke përcaktuar kushte të tilla si: kufirin maksimal të rritjes së mendshme të tarifës brenda një periudhe të caktuar kohe raportin maksimal të rritjes së tarifës që imponohet nga rritja e çmimeve të inputeve brenda një periudhe të caktuar kohe procedura që do të përdoret për përcaktimin ose llogaritjen e tarifës, përfshirë detyrimin për orientimin në kosto, përcaktimin e kostove eficiente, që mundëson realizimin e një fitimi të arsyeshëm.

II) Në rregullimin e tarifës AKE do të vlerësojë të dhënat:
1. Praktikën më të mirë të vendeve të BE
2. Tarifat mesatare të vendeve të BE
3. Tarifat e vendeve në zhvillim të ngjashëm me Shqipërinë
4. Raportet ndërmjet tarifave të shumicës dhe pakicës
5. Fitimin e realizuar nga sipërmarrësit e tjerë në tregun e telekomunikacioneve në vendet e BE dhe në vendet e tjera në zhvillim të ngjashëm me Shqipërinë.

Rasti kur orientohen tarifat
Me kërkesë të Agjencisë së Komunikimeve Elektronike brenda një afati kohor të arsyeshëm, sipërmarrësi i shpallur me fuqi të ndjeshme në treg duhet të provojë se tarifat që ai zbaton janë të orientuara në kosto. Nëse sipërmarrësi dështon brenda afatit të caktuar kohor për të përcaktuar se tarifat e zbatuara janë të orientuara drejt kostos, atëherë AKE do të konsiderojë se tarifat e tij nuk janë të orientuara në kosto dhe do të marrë masat përkatëse. Metodat që përdor AKE për të bërë auditin e të dhënave të paraqitura nga ana e sipërmarrësit, mund të jenë të ndryshme nga ato që ka përdorur vetë kompania.

Ornela Manjani

Last Updated on E Premte, 09 Prill 2010 18:45

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›