AKIP mbledh 60 mijë firma kundër importit të plehrave
Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka përmbyllur dje aksionin e saj për mbledhjen e firmave në të gjithë Shqipërinë dhe zhvillimin e një referendumi për rrëzimin e një pjese të ligjit Për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Aktivistët e AKIP bënë të ditur se kanë mbledhur mbi 60 mijë firma në të gjithë Shqipërinë dhe baza materiale e akumuluar do ti dorëzohet për verifikim Komisionit Qendror të Zgje-dhjeve. AKIP organizoi dje një tryezë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile, ambasadorë dhe politikanë, ku pjesë e diskutimeve ishte baza ligjore e zhvillimit të referendumit. Në këtë takim, ish- ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, deklaroi se referendumi është një praktikë, e cila është marrë peng nga politika. Referendumi në 20 vite eksperiencë është praktikisht një praktikë e marrë peng nga klasa politike, sepse tri referendumet e realizuara janë nisma të klasës politike, theksoi Mustafaj. Por, për Sokol Sadushin, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, verdikti final i mbajtjes apo jo të referendumit në Shqipëri duhet të jepet nga Kushtetuesja dhe jo nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas tij, KQZ duhet të kujdeset vetëm për verifikimin teknik të firmave dhe dokumentacionit të mbledhur. Është një çështje procedure, që do të vendosin organet përkatëse për saktësinë e materialeve të mbledhur nga AKIP. Unë jam i mendimit se çështjen përfundimtare, nëse duhet bërë ose jo referendumi, duhet ta marrë Gjykata Kushtetuese dhe jo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, theksoi Sadushi. Ardian Klosi ka bërë një përmbledhje të historikut të referendumit në vendin tonë, qoftë atij politik apo edhe të shoqërisë civile. Në vitin 1994, shqiptarët morën pjesë në referendumin e parë, atë për Kushtetutën e Republikës, ndërsa në vitin 1997 u votua për formën e shtetit, mes republikës dhe monarkisë. Në të dyja rastet kanë qenë nisma të ardhura nga qeveria, theksoi Klosi.
Klosi: Firmosën dhe të djathtë
Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi dje se PS-ja nuk ka qenë mbrapa Aleancës Kundër Importit të Plehrave, por përkrah saj në iniciativën e zhvillimit të një referendumi. Klosi, i cili një ditë më parë i dorëzoi AKIP firmat e forumeve të PS-së, theksoi se përveç opozitës, kërkesës për referendum i dhanë mbështetje dhe përfaqësues të së djathtës. Ne nuk kemi qenë prapa këtij procesi, por krah më krah me ju. Anëtarët e PS në të gjithë Shqipërinë kanë qenë në mbështetje të hapur të një të drejte qytetare, po ashtu në ato firma ka dhe shumë firma të djathta, tha Klosi.