Kreu i LSI, Ilir Meta priti në një takim ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës z. YE Hao
Meta: Në rritje shkëmbimet ekonomiko-tregtare me Kinën
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti në një takim kortezie Ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës, Shkëlqesinë e Tij Z. YE Hao.
Z. Meta, bëri një prezantim të prioriteteve kryesore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe theksoi se Republika Popullore e Kinës është një partner shumë i rëndësishëm dhe i veçantë për Shqipërinë, duke e falenderuar Ambasadorin njëkohësisht për kontributin e Kinës gjatë viteve të fundit. Në këtë kuadër, z. Meta nënvizoi se për shkak edhe të lidhjeve tradicionalisht miqësore mes popujve dhe qeverive tona, jemi në një moment kyç të konsolidimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare. Ambasadori YE Hao, pasi vlerësoi rolin e rëndësishëm të LSI-së në jetën politike dhe institucionale të Shqipërisë si dhe rolin personal të z. Meta në vite për marrëdhëniet mes dy vendeve, vuri në dukje se prioriteti kryesor i punës së tij do të jetë forcimi i shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, si edhe ai i shkëmbimeve njerëzore dhe kulturore. Ambasadori YE Hao theksoi se populli kinez e ndjen fort miqësinë e ngrohtë të popullit shqiptar dhe se rritja e numrit të turistëve kinezë por edhe e interesit të investitorëve privatë, do të jetë një kontribut i çmuar i Kinës për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në të ardhmen.