E Diel, 1 Nëntor 2026

AKKP: Fondi 500 milionë nuk preket

 

BLEDAR HOTI

Fondi prej 500 milionë lekësh nuk do të përdoret për procesin e legalizimeve, por do të vetëm për kompensimin e ish-pronarëve.    Kështu ka deklaruar për "Panorama", Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, i cili ka shpjeguar se kompensimi i pronarëve që preken nga procesi i legalizimeve është proces i veçantë dhe se nuk ka të bëjë me çështjen e procesit të kompensimit financiar të ish-pronarëve. "Fondi për kompensimin e familjeve që preken nga procesi i legalizimit nuk lidhet me procesin e kompensimit financiar që kemi nisur. Fondi prej 500 milionë lekësh nuk do të preket", deklaroi Vatnikaj. Sipas tij, AKKP-ja së bashku me Agjencisë e Legalizmit po përdor një skemë tjetër për kompensimin e ish-pronarëve, që trualli i tyre është zënë nga ndërtimi i banesave informale. "Është krijuar një fond i veçantë ku mblidhen nga derdhja e parave të banorëve që janë proces legalizimi dhe nga ky fond do të realizohet dhe kompensimi i ish-pronarëve", theksoi Vatnikaj. Fondet që mblidhen nga legalizimi zonave informale do të shkojë për llogari të AKKP-së, e cila do t'i përdorë për kompensimin e subjekteve të shpronësuara. Tre ditë më parë, qeveria mori vendimin për të kompensuar 80 pronarë në katër qarqe të vendit. Përmes këtij vendimi, 57.377 metra katrorë truall, të zëna nga ndërtimet pa leje, janë kompensuar me çmimin e tregut, në shumën e 2 miliardë 520 milionë e 764 mijë lekë të vjetra. Në vendimin e saj thuhej se "vlera e përgjithshme për shpërblimin të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, parashikuar nga ligji nr.9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar". Kjo gjë shihej si një prekje e fondit prej 500 milionë lekësh, por kjo u rrëzua nga kreu i AKKP-së, Vatnikaj. Ndërsa në bazë të ligjit për "Legalizimin e Zonave Informale" parashikohet se 80 për qind e fondeve që vilen nga pagesat e legalizimeve shkojnë në buxhetin e AKKP-së
Në vendimin e qeverisë realizohet kompensimi për ish-pronarët e që ndodhen në qarqet Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Tiranë. Pronat e tyre, të cilat ndodhen në zonat informale të këtyre qyteteve, janë zënë nga ndërtimet pa leje, çështje të cilat zgjidhen me procese gjyqësore. Në këtë mënyrë qeveria ka ndërhyrë duke zgjidhur një konflikt gjyqësor mes pronarëve të vjetër dhe të rinj, të cilët kanë zënë pronën, duke blerë në këtë mënyrë pronën e 80 pronarëve me vlerën e tregut, për të vazhduar më tej me procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje në këto prona. Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në qarqe në bashkëpunim me ALUIZNI-n kanë bërë identifikimin e pronarëve të ligjshëm, për territoret ku janë ngritur ndërtimet pa leje. Për zbatimin sa më të plotë të këtij vendimi parashikohet së Qeveria të nxjerrë së shpejti dhe një udhëzim më të detajuar për livrimin e plotë të fondit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›