Konferenca Gjyqësore, Kushtetuesja rrëzon ligjin
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dje njëzëri ligjin për funksionimin e Konferencës së Gjyqësorit. Ligji nr. 9399, dt. 12.05.2005 "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare" ishte votuar me shumicën e thjeshtë parlamentare, ndërkohë që ai duhet të merrte 3/5 e votave të Kuvendit. Procedurën e miratimit të këtij ligji Gjykata e ka cilësuar si antikushtetuese, ndërsa rregullon dhe gjithëpërfshirjen e gjykatësve në votimin për zgjedhjen e tre anëtarëve të KLD-së. Shfuqizimi i këtij ligji vjen pak para votimit nga kjo konferencë e tre anëtarëve të KLD-së që zgjidhen nga Konferenca Kombëtare e Gjyqtarëve. Deri tani ky votim bëhej vetëm nga një përfaqësi e deleguar e gjyqtarëve, ndërsa me vendimin e djeshëm, në këtë votim do të marrin pjesë të gjithë gjyqtarët e vendit, anëtarë të Konferencës Kombëtare. Ky shfuqizim vjen në një kohë që në shumë rrethe gjyqësore kanë nisur përgatitjet për konferencat gjyqësore rajonale, të cilat duhet të zgjidhnin delegatët për Konferencën Kombëtare. Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese nuk dihet nëse ato do të zhvillohen. Ligji nr. 9399, dt. 12.05.2005 "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare", i shfuqizuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, krijonte Konferencën Kombëtare të Gjyqtarëve si një organ, përbërja e të cilit ishte nga anëtarë ex office (të emëruar) dhe të zgjedhur. Anëtarët ex office hynin automatikisht në konferencë dhe ata ishin të gjithë kryetarë të gjykatave të rretheve, kryetarët e Gjykatave të Apelit si dhe 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë. Pjesa tjetër votohej nga konferencat rajonale gjyqësore, duke e kthyer kështu Konferencën Gjyqësore jo në një organ ku përfaqësoheshin gjithë gjyqtarët e të gjitha niveleve, por në një organ ku vota e gjyqtarëve ishte e deleguar dhe një pjesë e kësaj vote vinte nga të zgjedhurit si kryetarë. Pikërisht kjo cenonte votën e gjyqtarëve dhe e bënte atë të mundur të ndikohej dhe nga ekzekutivi, ishin dhe disa nga argumentet që përfaqësuesit e Shoqatës së Gjyqtarëve parashtruan para Gjykatës Kushtetuese. Kryetarët e gjykatave, të cilët merrnin pjesë në votimin e anëtarëve të KLD-së, ishin personat që kishin ndikim nga ekzekutivi përmes ministrit të Drejtësisë, duke ndikuar kështu direkt edhe në votim. Por, Shoqata i kërkoi Gjykatës dhe pezullimin e këtij ligji deri sa ajo të jepte vendimin, pikërisht për të mos lejuar pasojat e tij mbi konferencat që kanë nisur të zhvillohen dhe Konferencën Kombëtare të dhjetorit. Në fillim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese nuk pranoi kërkesën për pezullimin e këtij ligji, në fakt ligji i ankimuar tashmë është shfuqizuar nga kjo gjykatë duke rikthyer situatën në gjendjen e para 2005-ës. Por jo vetëm kaq, vendimi i saj ka quajtur të drejtë dhe argumentin tjetër të paraqitur nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, që kundërshtonte procedurën e miratimit të këtij ligji. Për Gjykatën Kushtetuese, ligji për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare nuk duhet të miratohet me shumicë të thjeshtë, por me procedurë parlamentare të cilësuar. Por sido që të miratohet më vonë ky ligj, ajo që ka rëndësi për momentin është se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese e riktheu procesin e votimit të anëtarëve të rinj të KLD-së në situatën e 3 viteve të para dhe kjo do të thotë në thelb që tre anëtarët e rinj të KLD-së, të cilët do të zgjidhen në dhjetor 2008, për të zëvendësuar 3 anëtarë që ju mbaron mandati do të duhet të sigurojnë jo vetëm votën e një grupi të zgjedhurish, por shumicën e votës së gjithë gjyqtarëve të Republikës se Shqipërisë, afro 430 gjyqtarë.
Pse u rrëzua ligji për Konferencën e Gjyqësorit
Antikushtetues, pasi ishte votuar në Kuvend me shumicë të thjeshtë, ndërkohë që kërkonte 3/5 e votave
Në zgjedhjen e tre anëtarëve të KLD-së nga konferenca, i mohohej e drejta e votimit të të gjithë gjyqtarëve të republikës
Vota e gjyqtarëve ishte e deleguar dhe një pjesë e kësaj vote vinte nga të zgjedhurit si kryetarë të gjykatave
Shfuqizimi i këtij ligji kërkon hartimin e një ligji të ri për funksionimin e Konferencës Kombëtare të Gjyqësorit, deri atëherë do punohet me statusin e vjetër