Romët e Gjirokastrës duan një lagje me emrin Obama
“Barak Obama” do të mbajë emrin një lagje në qytetin e Gjirokastrës. Sapo ka filluar mbledhja e firmave të banorëve të lagjes "Punëtori" e cila popullohet kryesisht nga një popullsi me prejardhje egjiptiane. Iniciativa është ndërmarrë nga një prej banorëve më aktiv të lagjes në fjalë Hasan Tushe. Ky i fundit person mjaft i respektuar për komunitetin e këtushëm, ka qenë frymëzuar sic thotë ai para zgjedhjeve në SHBA se nëse fiton kandidati me ngjyrë, emri i lagjes do të ndryshojë sigurisht me pëlqimin e banorëve. Jemi një komunitet që e gjejmë gjuhën me njëri-tjetrin dhe do të na pëlqente mjaft që lagjes sonë t'i ndërrohej emri dhe në vend të tij të mbante emrin e presidentit amerikan të sapozgjedhur Barak Obama-është shprehur Tushe i cili njihet si anëtar aktiv në një forcë politike opozitare. Sipas tij lagjja gjithmonë ka pasur emra diskriminues ku në fillimet e saj quhej "Lagjija e evgjitëve" ndërsa më vonë në kohën e sistemit socialist u pagëzua me emrin "Punëtori" por që askush nuk e ka patur për krenari këtë emër. Së fundi iniciativa e ndërmarrë nga Tushe, duket se ka gjetur mbështetje tek një pjesë e banorëve por që synohet të shtrihet edhe në zona të tjera të një prej lagjeve më të mëdha të Gjirokastrës. Sipas një banori tjetër me moshë të vjetër Ajaz Miftari, vendosja e emrit të presidentit të ri amerikan, do të sillte ndoshta vëmendjen e qeverisë shqiptare të tashme dhe të atyre që do të vinin sepse banorët e kësaj zone sipas tij nuk gëzojnë ato privilegje si të tjerët. Mbase dhe Amerika do të na shohë ndryshe neve njerzve me ngjyrë sic thonë ditët e sotme dhe pse jo të mos na japë lekë sepse për ato kemi nevojë më shumë se kurrë-shprehet i moshuari për gazetën "Panorama".