Geri Malaj: Dua të bëhem si Ksavi i Barcelonës
Futbollisti i talentuar shqiptar, 19-vjeçari Geri Malaj, është një personazh shumë i njohur në ambientet futbollistike spanjolle, sesa në Shqipëri, edhe pse media e ka evidentuar lojtarin e të rinjve të Deportivo La Korunjës. Gazeta spanjolle “La Voz de Galicia” i ka bërë një portret të plotë mesfushorit shkatërrues, djalit të një muzikanti nga Kuçova (luan në fagot). Geri, 186 cm, luan në rolin e një mesfushori shkatërrues, por me karakteristika të dukshme, për të ndërmarrë një inkursione sulmuese. Mesfushori shqiptar pohoi se është një admirues i madh i legjendës franceze Zinedin Zidan, edhe pse në rolin e tij aktual ai luan në një pozicion tjetër nga ish-futbollisti i Realit të Madridit. “Tani futbollisti më i mirë në mesfushë është Ksavi, i cili luan në një nivel shumë të lartë. Unë personalisht, nuk dëshiroj të vështroj te një lojtar i veçantë, por të kuptoj dhe të analizoj lojën në tërësi. Kush më pëlqen nga Deportivo? Më pëlqen agresiviteti i De Guzmanit dhe personaliteti i Serxhios”. “Më pëlqen më shumë të orientoj ose të organizoj lojën. Në formacionin e të rinjve ne vendosemi në fushë njëlloj si Barcelona aktuale, me tre mesfushorë, dy më të avancuar e tjetri pak më prapa për të qenë më afër mbrojtjes. Mua nuk më pëlqen vetëm të jem një rikuperues topash, por dhe të jem pranë sulmit”, - thotë 19-vjeçari. Vetëm 17 vjeç, Geri mundi të debutojë me Shqipërinë U-21 në një ndeshje ndërkombëtare kundër Turqisë, të zhvilluar në Elbasan. “Ishte viti 2007, - thotë Geri për gazetën iberike, - askush nuk më kishte parë më parë gjatë një ndeshje. Luajta gjithë pjesën e dytë, dhe shpresoj se tregova një nivel të mirë, pavarësisht se isha vetëm 17 vjeç. Diferenca e moshës me lojtarët e tjerë ishte e dukshme. Gjithsesi, kjo ishte eksperienca ime e parë ndërkombëtare, por mbeta shumë i befasuar”.