E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP: Ish pronarët duhet të plotësojnë formularin për të përfituar kompensimin

Ish-pronarët, tokat e të cilëve janë zonat ku u kryen legalizimet duhet të paraqiten pranë AKKP-së për të plotësuar një formuar. Në bazës të aplikimit do të kryhet përllogaritja e vlerës së truallit që do të kompensohet. Bëhet fjalë për 5400 ish-pronarë,

të cilët pritet të përfitojnë nga kompensimi. Procedura që duhen të ndjekin ish-pronarët është bërë e ditur nga burime pranë AKKP-së të cilat i referohen vendimit të qeverisë për shpronësimet e ish-pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga legalizimi i shtëpive. Burime nga AKKP kanë pohuar se në fillim të javës së ardhshme çdo ish-pronar duhet të drejtohet në zyrën e AKKP-së për tu informuar për të gjitha procedurat që do të ndjekë në mënyrë që të marrë dëmshpërblimin që i takon. Ish-pronarët do të marrin fillimisht këstin e parë të kësaj vlere që është 20 për qind e vlerës së kompensimit. Janë rreth 48 849, 90 m², tokë truall të zëna nga ndërtimet pa leje për të cilat Qeveria do tu japë ish-pronarëve 758 milionë lekë. Pak kohë më parë Qeveria miratoi listën e pronarëve të cilët përfitojnë dëmshpërblim ndërkohë që janë përcaktuar dhe procedurat që do ndiqen për këtë proces. Sipas vendimit të miratuar nga Qeveria në njoftimin publik duhet të përcaktohen: a) gjeneralitetet e përfituesit; b) periudha kohore e paraqitjes së kërkesës; c) dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës; ç) vlera e tarifës së shërbimit; si dhe d) detyrimi për subjektet përfituese për të hapur, në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik dhe vazhdon për 30 ditë. Më tej me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së do të ngrihet grupi i punës për pranimin e shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Kjo procedurë do të kryhet për çdo fond që i kalon AKKP-së sipas ligjit nr. 10239, datë 25.2.2010, Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave, dhe në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›