E Diel, 1 Nëntor 2026

Barnat me rimbursim në cilësi të dobët, farmacistët u rekomandojnë qytetarëve ilaçet e shtrenjta

Farmacistët: Medikamentet e shtrenjta rimbursohen vetëm për veteranët e luftës

Ilaçet e rimbursuara të cilat duhet të merren falas ose me gjysëm çmimi për kategoritë e të sëmurëve në gjithë vendin, rezultojnë të japin një efekt të vonuar ose thënë më ndryshe, janë në përgjithësi cilësi tepër e dobët. Këtë e deklarojnë vetë farmacistët të cilët,

sqarojnë se zakonisht medikamentet të cilat rimbursohen por janë më të lirat e importohen nga vendet e lindjes së Ballkanit, si bullgaria, Rumania, Serbia, apo edhe Maqedonia kërkohen më tepër nga qytetarët. Sipas vëzhgimeve të kryera nga gazeta SOT në përgjithësi të sëmurët apo të afërmit e tyre refuzojnë të marrin ilaçet e rimbursuara që importohen nga vende të zhvilluara si Franca, Italia, Gjermania etj, pasi këto medikamente edhe pse janë të rimbursuar nga shteti duhet të paguhen me një vleftë të caktuar. Sipas Irma Telitit një prej farmacisteve në rrugën Komuna e Parisit, nëse një pensionist do të kërkonte në farmaci një ranitidinë medikament i cili shërben për dhimbjen e stomakut, atëherë nga ana e farmacistit do të propozohej lloji i ilaçit më të lirë që vjen kryesisht nga shtetet jo të zhvilluara pasi edhe kërkesa më e madhe e pensionistëve ose e shtresave të varfra e atyre të mesme është për këtë medikament. Por në këtë rast ky medikament do të refuzohej nga pacienti i cili në shumë raste është me të ardhura të pakta e do të preferonte atë ilaç që është më i lirë në çmim. Sipas Telitit, mbi 70 për qind e personave jo vetëm në farmacinë e saj por edhe në farmacitë e tjera kërkojnë me dëshirën e tyre të përdorin ilaçe të lira që sipas konstatimeve të dhjetëra rasteve nga vetë ata nuk kanë pasur efekt ose janë me cilësi të dobët. Ndërkohë që vetëm 30 për qind e pacientëve apo e personave që blejnë apo marrin në farmaci ilaçe të rimbursuar përdorin ilaçe të shtrenjta pasi në këto raste edhe kur një person është me librezë shëndetësore e me recetën e dhënë nga mjeku për përfitimin e ilaçeve me rimbursim sipas farmacistëve ai duhet të paguajë për çdo medikament që merr edhe kur e përfiton atë falas nga shteti. Sipas Eduart Kodrës një prej farmacistëve në zonën e Vasil Shantos nëse një paracetamol i cili importohet nga Serbia, dhe realisht është me çmim të lirë, dhe tregtohet me 20 lekë të vjetra e për kategori të ndryshme jepet me rimbursim, në rastet kur ky paracetamol është prodhim francez atëherë kushton 40 lekë e në këtë rast nëse i sëmuri do të marrë këtë lloj paracetamol atëherë duhet të paguajë për këtë medikament 20 lekë të vjetra, pasi gjysmën e vleftës ja fal shteti. Në këtë kontekst shumica e të sëmurëve e sidomos pensionistët nuk kërkojnë të marrin në farmaci ilaçet e shtrenjta e sigurisht ato që japin efekt në shëndetin e tyre.


Cilësia
Cilësia e medikamenteve në vendin tonë është kthyer pothuajse në një problem tejet të madh pasi sipas farmacistëve në shumë raste janë vetë të sëmurët që edhe pse i kërkojnë ilaçet me çmim të lirë ankohen se ato nuk japin efektin e duhur. Sipas farmacistëve, pacientët e të afërmit e tyre ankohen pothuajse përditë se kura e marrë  nuk ka qenë e efektshme. Në shumë raste edhe mjekët duke parë gjendjen në të cilën është personi i sëmurë duke vendosur bashkë me ta u këshillojnë të marrin medikamente që janë të lira edhe pse ato japin më pak efekt se ilaçet e tjera e në shumë raste janë me datë skadence të afërt.


Precedenti
Zakonisht ilaçet e rimbursuara që gjenden në farmaci janë kryesisht për sëmundjet e zemrës, të diabetit, sëmundjeve kanceroze, astmës e në përgjithësi për të gjitha sëmundjet e tjera. Gjithashtu lista e të gjitha ilaçeve të rimbursuar gjendet në çdo farmaci por problemi më i madh është fakti që ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ISKSH-në edhe në rastet kur u ofron të sëmurëve ilaçe që kanë efekte të shpejta e kanë cilësi të mirë e takson çdo medikament me pagesë bruto, që do të thotë se edhe kur një person është i siguruar apo përfiton nga shteti një medikament me rimbursim nëse i duhet ta marrë këtë të llojit më të shtrenjtë duhet të paguajë gjysmën e vlerës reale të çmimit për qytetarët e tjerë.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›