E Shtunë, 31 Tetor 2026

Santo i shpjegon Flamurit planin e “Bankës së familjes”

Nga Antena brenda familjes

Dje Flamuri u soll gjithë ditën rrugëve të Tiranës të gjente redaksinë e gazetës “TemA”. Shkoi te shtypshkronja dhe policët i thanë se “plaçkat i kanë brenda, po vetë nuk i lejojmë të vijnë”. Avokati i “Bankës së familjes” ishte i shqetësuar, se donte t’i dorëzonte padinë në dorë.

Puna ishte kopsitur mirë. Avokatin e kishin zgjedhur me dorë, kishin marrë atë të Delijorgjit dhe Mediut. “Se duhet pak i motivuar dhe avokati”, - kishte thënë ai burri.

Santo e merrte vazhdimisht në telefon në makth se mos nuk e gjente dot adresën.

- Duhet ta gjejmë Flamur patjetër, - i thoshte, - se e kemi ngritur me gjak këtë bankë. Nuk ia shpërblejmë dot Familjes këtë që na bëri. Ka 40 për qind të aksioneve të grupit Elvana, pastaj e kemi copëtuar grupin, ca në bankë, ca në shoqëri sigurimi, ca në hotele. Na ka sjellë gjithë lekët e shtetit, Flamur, duhet ta dënojmë patjetër atë, se ndryshe na ngeli në dorë puna e Taçit...

- Ore, je i sigurt që i keni kopsitur ato letrat e Taçit ju, se po bëhet rrëmujë e madhe? Ai s’po paguan naftën që po merr në Ballsh.

- I kemi kopsitur. E kemi rregulluar dhe me opozitën të mos kërkojë komision hetimor për atë çështje, s’ka për t’u marrë vesh kurrë, a i pagoi, a jo. Po e la dhe nja dy muaj ai burri pa deklaruar sasitë e naftës që merr, m’i shlyen gjithë lekët. Pastaj s’ka burrë që na mban, se, përveçse i kemi bërë nder Familjes, kemi bërë dhe ndonjë lek për vete, - tha Santo.

- Letrat shiko t’i kesh në rregull ti, se me këtë punë merrem unë, - tha Flamuri. Avokatët m’i ke gjetur tamam të këtij grupit të Fatmirit, se këta e kanë me zemër këtë punë.

- Letrat them se i rregulluam. Më merr Elvana përditë për to. Më thotë: “Aman se është mërzitur teta Lili që e kanë nxjerrë në televizor me atë Taçin, rregullojini pak letrat.” Dhe ai burri ka thirrur këta të tatimeve dhe ka bërë namin. “Bëni urgjent deklarimet, - ka thënë, - t’i mbyllim gojën atij. Futini një shifër kot dhe bëni deklarimet.” Ata të shkretët nuk dinë sa ta bëjnë deklarimin që ta mbyllin këtë punë. Më pyetën mua dje: “A ta bëjmë dhjetë mijë tonë në muaj?” Bëjeni u thashë, po s’del llogaria, se ai më ka dhënë në një muaj më shumë pará sesa dhjetë mijë tonë naftë. Do thonë, ku i gjeti. “Ta bëjmë 20”, - më thanë pastaj. Bëjeni iu thashë, po do thonë pastaj, ku i ka marrë, se ai s’i ka deklaruar fare në fatura. Në hall të madh janë. Apo ç’ka vajtur dhe ai Agim Shehu aty dhe ai i shkreti s’di gjë si është loja, mund t’iu fusë një të rrasur brenda.

- Ore, me shtetin merrem unë, - i tha Flamuri, - ti merru me letrat. Ato mbylli mirë, se dhe ai burri e ka merak.

- Po sa gjëra kam mbyllur unë, o Flamur, mos të mbyll letrat e Taçit. Unë shita një Raiffeisen të tërë pa më hyrë gjemb në këmbë dhe na dolën lekët dhe për këtë Bankë bashkë me Elvanën, jo të mos mbyll një faturë 77 milionë euro. Pastaj na ka ndihmuar shumë Familja, s’kemi ç’i bëjmë. Këtu i bëjnë gjithë pagesat, shëndetësia, legalizimet, turizmi, qeveria, të gjithë këtu. S’ke ç’i bën, s’kam ç’i them, do t’ia bëjmë këtë nder.

- Po me fondin e themelimit të bankës i keni kopsitur letrat, se do ju pyesin ku i gjetët lekët?

- ǒtë të them unë, si i thonë asaj fjalës “Mos më pyet për milionin e parë… se ai është me spec. Të tjerat i rregullojmë”.

- Nuk të pyes, se e di unë historinë e atij aksionerit që shiti sallam të prishur dhe e futën dhe ca ditë brenda. Më ka thënë ai burri që ka ndërhyrë vetë për ta liruar prej burgu, se do ishte akoma në Peqin me ato që kish bërë.

- Po më kanë thënë që ata të “TemA”-s seç i kanë rënë në erë kësaj historisë së sallamit dhe mos na bëjnë ndonjë të pabërë.

- Ata le të shkruajnë ç’të duan. Ju shiko kopsitni letrat, kaq më tha ai burri. Për ty më foli me respekt. “Kemi respekt për Santon, - tha. - Sa herë na është dashur, na ka qëndruar pranë.” I kishte folur mirë dhe Fatos Nano herën e fundit. “E keni njeri të besuar atë, - i kishte thënë. - Nuk hap gojën për asnjë, bëni punë pa frikë.”

- E di, e di, i kam miq të dy. Detyrën kam bërë. Janë ata, pa jam unë. Po të mos kishim Familjen në pushtet, s’do kishte bankë si kjo e jona fare.

- Nejse, për herë të fundit po të them, kopsiti pak mirë letrat. Se çfarë s’po na nxjerr telashe ky Rezart Taçi. Flet lart e poshtë që Familjes nuk i kam borxh, se ia kam dhënë lekët. Tani na është përzier dhe në Kakome, na ka futur një aksioner në emër të Familjes dhe ka bërë rrëmujë të madhe. Këta të medies i kanë kapur letra që vazhdon të kërkojë kredi për të paguar ARMO-n. Ndaj është i shqetësuar ai burri, duhet t’i kopsitni letrat. Se s’kam nerva të dëgjoj fjalë për Familjen.

- E di, e di, më ka thënë Elvana. Mos ki merak. Ti shiko fushatën dhe flasim si deputet pas datës 28.

- Në rregull, po iki i qetë, - tha Flamuri, - se këtë punën e letrave e kam shumë merak. Sa të mbyllet dhe ky skandali që ky Taçi merr naftë dhe s’e deklaron. Se ka thënë në një televizor ai i “TemA”-s, po qe se lihen kështu gjithë kompanitë e tjera, mund të na bien çdo weekend Barcelonën, dhe jo dy herë në vit Milanin.

- Do merremi ne me atë tani, - i tha Santo, - mos ki merak. Avokatët i kemi, bankën e kemi, do merremi ne me atë punë. I thashë që atëherë atij burrit, nuk i dilet me të djegur makinën dhe shtypshkronjën. Duhet metodë tjetër. Na e lini ne në dorë atë punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›