E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, kërcënime ndaj gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve

Nga Bledar Lumani

Seanca e djeshme gjyqësore ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të bandës së Durrësit është shoqëruar me kërcënime të rënda ndaj gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Ndërkohë, edhe pse në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm të gjithë avokatët, i penduari i bandës, Adriatik Coli, është penguar nga këta të fundit që të flasë. Kjo ka sjellë edhe acarimin e situatës, teksa Coli i ka kërcënuar hapur ata.

Seanca

Zvarritja për rreth dy vjet me radhë e procesit gjyqësor ndaj të pandehurve të bandës së Durrësit, i ka humbur durimin të penduarit të bandës, Adriatik Coli, i cili me dëshminë e tij fundosi gjithë anëtarët e saj. Duke qenë se për seanca të tëra ai është penguar të japë dëshminë e vet në sallën e gjyqit, kryesisht për mungesë të avokatëve mbrojtës të të pandehurve, dje i ka kërcënuar hapur këta të fundit. Në fakt, gjatë seancës së djeshme të zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në sallën e gjyqit, si pak herë të tjera, kanë qenë të pranishëm të gjithë avokatët mbrojtës të të pandehurve. Por, duke qenë se ata e kanë vendosur që të pengojnë me të gjitha mënyrat dhënien e dëshmisë nga ana e Colit para trupit gjykues, edhe pse kanë qenë në sallën e gjyqit, e kanë penguar atë të flasë. E vetmja fjali që ka dalë nga goja e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Adriatik Coli, ka qenë një kërcënim i hapur ndaj avokatëve të të pandehurve, që janë bërë pengesë për dhënien e dëshmisë së tij. Adriatik Coli i kërcënoi ata me paralajmërimin, “vazhdoni të mos vini në proces, se plumbin do të hani”. Ky kërcënim ka ardhur në kohën që avokatët kanë krijuar në sallë një situatë kaotike, ndërkohë që i akuzuari si kreu i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha, ka kërkuar zëvendësimin e dy avokatëve të tij mbrojtës, Arben Qeleshi dhe Ilia Ilia, duke shkaktuar dhe tension në sallën e gjyqit. Pas kësaj, gjykata ka urdhëruar zëvendësimin e tyre me avokatë të shtetit. Këtë urdhër gjykata e ka dhënë dhe për tre të pandehur të tjerë, mes tyre dhe për krahun e djathtë të Lul Berishës, Indrit Taullai, të cilët do të jenë të dubluar, në rast se mungojnë avokatët mbrojtës të tyre. Pas këtij urdhri ka ardhur edhe reagimi i ashpër i Taullait, i cili ka kërcënuar gjyqtarët dhe prokurorët. Ky i fundit u është drejtuar atyre me shprehjen se, “do ta shihni, në rast se më jepni një avokat që nuk e dua”. Pas kësaj situate, trupi gjykues vendosi që ta ndërpresë seancën e djeshme, duke bërë kështu që të dështojë seanca e 80 me radhë. Sakaq, trupi gjykues, ashtu si dhe në shumë raste të tjera, i ka drejtuar një shkresë Dhomës së Avokatisë, në lidhje me sjelljen e djeshme të avokatëve mbrojtës, të cilët janë bërë shkak për tensionimin e situatës dhe dështimin e seancës gjyqësore. Ndërkohë, po gjatë ditës së djeshme, në një seancë tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të të akuzuarit si kreu i bandës së Durrësit, Lul Berisha, si dhe gruas dhe motrës së tij. Ndaj këtyre të fundit organi i akuzës kërkoi sekuestrimin e 33 apartamenteve dhe 19 mijë metrave katrorë. Kjo, duke qenë se, sipas prokurorisë, ato janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Odiseja e shtyrjeve

Ka rreth dy vjet me radhë që procesi ndaj të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit zvarritet qëllimisht nga ana e avokatëve mbrojtës së këtyre të fundit. E gjithë kjo bëhet me një qëllim të vetëm, pengimin e dhënies së dëshmisë në sallën e gjyqit të të penduarit Adriatik Coli, dëshmi e cila mund të fundosë keqas të pandehurit. Që prej fillimit të procesit gjyqësor numërohen rreth 80 seanca gjyqësore që kanë dështuar, që shënon një rekord historik në drejtësinë tonë, duke qenë se afërsisht dy vjet që prej fillimit të procesit gjyqësor në ngarkim të 16 të pandehurve, procesi gjyqësor nuk ka mundur dot që të hapë siparin e vet. Pothuajse në të gjitha seancat e dështuara, përgjegjësit e vetëm kanë qenë avokatët mbrojtës të të pandehurve, të cilat me anë të manovrave dhe mungesave të tyre kanë arritur që ta zvarrisin procesin gjyqësor. Për këtë arsye, disa herë trupi gjykues ka kërkuar marrjen e masave nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhoma e Avokatisë, gjë që në fakt nuk ka ndodhur. Ndërkohë, trupi gjykues, duke parë dhe shtyrjen e seancave, vendosi që t’i zhvillojë ato dy herë në javë, por dhe kjo masë ka dështuar. Të dhënat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për krijimin e bandës së Durrësit datojnë që nga viti 1994, kur u vu re për herë të parë bashkëpunimi ndërmjet Lulëzim Berishës e Klodian Saliut, dy themeluesit e kësaj bande kriminale. Nga të gjitha hetimet e prokurorisë shqiptare e italiane, akuzat që janë ngritur mbi këtë organizatë kriminale janë “Trafik ndërkombëtar droge”; “Prostitucion dhe trafik armësh” dhe “Krijimi i organizatës kriminale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›