AKKP: Tiranë-Durrës, mijëra dosje presin për kompensim
Dhjetëra-mijëra dosje të ish-pronarëve tashmë mund të konsiderohen si të kualifikuara dhe në pritje për të përfituar kompensimin. Drejtoritë e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë dhe Durrës konfirmojnë faktin se vetëm në këto dy qarqe janë dhjetëra-mijëra dosje, të cilat tashmë kanë marrë të drejtën për t’u kompensuar. Këto qarqe përbëjnë numrin më të madh të kërkesave, por njëkohësisht edhe problemin kryesor për kompensimin, pasi bëhet fjalë për kompensim në nivel të lartë. Kostoja e kompensimit në këto qarqe, për shkak të vlerës së tokës, kap shifra të larta. Nga ana tjetër, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Durrës ka nisur intensivisht shqyrtimin dhe përfundimin e dosjeve, për të mundësuar pastaj edhe gjetjen e trojeve të lira për kompensim në shkallë qarku. Sipas burimeve zyrtare, deri sot janë 3.500 dosje të shqyrtuara, të cilat konsiderohen të përfunduara nga ana e Agjencisë së Kthimit e të Kompensimit të Pronave në Durrës, të cilat presin të kompensohen me para në dorë ose në natyrë. Kurse 500 dosje të tjera janë në proces shqyrtimi e që do t’i shtohen të parave. Në AKKP-në e Durrësit nuk kanë asnjë informacion për toka të lira në shkallë qarku, në mënyrë që të shfrytëzohen për kompensim në natyrë. Gjatë vitit 2009, në bazë të ligjit për kompensimin e pronave me para janë në proces 38 aplikues. Në arkivën e Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave në Durrës janë pothuajse 4000 dosje me kërkesa për kthime pronash. Pjesa më e madhe e tyre bën fjalë për sipërfaqe tokash në zonat rurale dhe një pjesë më e vogël për troje në qytet. AKKP ka shqyrtuar rreth 3500 dosje, për të cilat ka marrë vendimet përkatëse, të cilat bëjnë fjalë për kompensimin e tyre, pasi kthimi është i pamundur. Ndërsa në proces shqyrtimi janë edhe 500 dosje të tjera. Ndërkohë janë edhe 200 dosje, të cilat janë gjetur të paplota me dokumentacionin përkatës. Këtyre të fundit u është lënë një kohë e lirë, që të gjejnë dokumentet e munguara për plotësimin në bazë të ligjit të dosjeve. Zyrtarët e AKKP-së deklarojnë se “kemi për detyrë të shqyrtojmë të gjitha kërkesat e të marrim vendime për ato”.
Kompensimi
Vendimet e AKKP-së kanë kohë që qëndrojnë ende të pazbatuara për shkak të mungesës së fondit financiar apo fondit fizik për të bërë kompensimin. Në Qarkun e Durrësit, sipas burimeve zyrtare nga kjo agjenci, nuk ka toka të lira për kompensim në natyrë dhe as nuk është marrë ndonjë vendim nga lart për sipërfaqe të lira në të tjera vende në funksion të këtij procesi. Në këto kushte kur tokat e lira mungojnë, e vetmja mënyrë kompensimi mbetet ajo me para. Këtë vit numri i pronarëve që do të kompensohen është afro 38. Me VKM, ky kompensim trajton sipërfaqe toke që arrijnë deri në 200 m2. Kompensimi është rritur nga 6 milionë lekë në 19 milionë lekë. Në Durrës nuk është ndërmarrë ndonjë studim për të parë nëse në shkallë qarku ekzistojnë apo jo sipërfaqe të lira tokash. Sipas të dhënave nga komunat, rezultojnë se tokat në bregdet janë të ezauruara pasi janë dhënë për zhvillim turistik, kurse pjesa më e madhe e arave dhe tokave të fermave janë ndarë me ligjin 7501. Ndërkohë mbetet për t’u mësuar gjendja e sipërfaqeve të pyjeve e të kullotave.