Ndarja e zonave, Berisha ua lë në dorë deputetëve
Sistemi i ri zgjedhor i 28 qershorit ka diktuar një ndarje të re të zonave zgjedhore mes deputetëve të rinj. Formulën e re të kësaj ndarjeje, kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ua ka besuar vetë deputetëve të PD-së. Në mbledhjen e fundit të grupit kuvendor, pa praninë e mediave, z. Berisha kërkoi nga deputetët një formulë të re të ndarjes së zonave në mbarë vendin dhe në bazë të saj, ata do të jenë përgjegjës për çdo problematikë të tyre përgjatë 4 viteve të ardhshme. Burimet brenda grupit bëjnë të ditur se deputetët po hartojnë skemën e re të caktimit të zonave për t’ia paraqitur më pas kreut të mazhoracës, Berisha. Deputetët kanë dorë të lirë të japin mendime se si duhet proceduar me zonat, duke u përshtatur pikërisht me sistemin e ri zgjedhor. Në zgjedhjet e mëparshme çdo deputet dinte zonën e tij elektorale, pasi individi votohej direkt nga zgjedhësit. Por me sistemin e ri zgjedhor, përveç krerëve të listave në të gjitha qarqet e vendit, asnjë deputet tjetër nuk ka të njohur në zonën e tij përkatëse. Pikërisht këtë gjë do ta pasojnë ditët në vijim, duke i shtuar edhe mendimet e reja se si duhet të funksionojë përgjatë këtij mandati lidhja deputet-zgjedhës. PD-ja me 69 deputetët e saj në mbarë vendin çdo fundjavë do të zbresë në bazë për t’u njohur me problematikën që do të kenë zgjedhësit, e cila më pas do t’i përcillet qeverisë. Aty ku mendohet se mund të ndërhyjë, qeveria do të hartojë projekte konkrete për konkretizim e tyre. Projektet, sipas Kryeministrit Sali Berisha, nuk do të njohin dallime partiake, pasi do të investohet në çdo cep të vendit, pavarësisht nëse zona do të jetë bastion i së majtës apo i së djathtës. Zyrat elektorale të deputetëve do të hapen sërish dhe takimet me elektoratin do të jenë gjithnjë e më të shpeshta. Të paktën kjo është një nga kërkesat e fundit të liderit Berisha ndaj të zgjedhurve të PD-së.