E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP-ja, gati shqyrtimin për 1200 dosje pronash deri në fund të majit

Ministria e Ekonomisë kalon dosjet e para që përfitojnë nga privatizimet.Ku dhe si mund të gjenden dokumentet për të plotësuar dosjen

Ervin Koçi

Rreth 1200 dosje pronësie kanë nisur të shqyrtohen këto ditë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të cilat kjo e fundit pritet që të japë përgjigje deri në fund të muajit maj. Burime pranë kësaj agjencie bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se, “dosjet e pronave janë sjellë në këtë Agjenci nga Ministria e Ekonomisë, e cila pasi ka bërë inventarët për pasuritë shtetërore që ka nën administrim dhe gati për t’i privatizuar, ka përcaktuar dhe ish-pronarët që bëhen pjesë në këto privatizime”. Sipas burimeve të mësipërme, Ministria e Ekonomisë, mes disa mijëra dosjeve të ish-pronarëve që pretendonin pronësinë në këto objekte shtetërore në prag të privatizimit, ka seleksionuar dhe verifikuar si të sakta këto 1200 dosje. “Por, specialistët e AKKP-së janë gjithsesi në punë për t’i verifikuar saktë këto dosje dhe për të bërë deri në fillim të muajit qershor 2008 publikimin e emrave të ish-pronarëve që përfitojnë”, - thanë burimet e AKKP-së për gazetën. Ndërkohë, edhe në agjencitë rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave ka nisur puna për verifikimin e dosjeve të ish-pronarëve, që pritet të marrin përgjigje deri në fund të këtij muaji. Por informacioni që vjen nga këto agjenci është akoma më i pakët edhe për arsye se akoma nuk janë verifikuar mirë të gjitha konfliktet që kanë në lidhje me një pronë individë të caktuar.

Vendimi zyrtar

Duke nisur nga data 1 maj 2008, të gjithë ata pronarë që duan kthim e kompensim për tokat e zëna, mund të depozitojnë dokumentacionin në zyrat e komisioneve të pronës. Me firmosjen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të ndryshimeve në ligjin e pronës, pronarët nuk do të sorollaten më, por mund të depozitojnë dokumentacionet për të rifituar pronat apo kompensimin për to. E drejtë kjo që u është mohuar që nga 31 tetori i vitit të kaluar, kur skadoi afati i pranimit të dokumentacionit. Pra që nga data 1 maj pronarët do të kenë tetë muaj kohë për të përgatitur dosjet dhe për t’i dorëzuar në të gjitha komisionet e pronës. Në bazë të ndryshimeve ligjore të firmosura nga kreu i shtetit, pronarët do të kenë mundësi që të dorëzojnë dokumentacionin deri më 31 dhjetor 2008. Komisionet e tokës do të jenë të hapura për të pritur të gjitha dokumentet. E mbas kësaj date do të vijohet me procedurat e kthimit e kompensimit. Çdo subjekt, në momentin e paraqitjes së kërkesës, do të pajisjet me numrin e dosjes përkatëse, si dhe do të ketë konsultimin e ekspertëve të komisioneve përkatëse. Në çdo rast lihet e hapur mundësia e paraqitjes së një ankese në Agjencinë Qendrore në vend.

Afati i fundit

Fundi i këtij viti (2008) do të jetë dhe afati maksimal për të kërkuar kthimin dhe kompensimin e pronës. Në ligjin që ka marrë dhe firmën e presidentit saktësohet se çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtën deri më 31 dhjetor për të plotësuar dosjen. Ndërsa Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka detyrimin për të plotësuar kërkesat mbi të gjithë procedurën, si për njohjen, ashtu dhe për rikthimin e së drejtës. Subjektet do të kenë të drejtën të plotësojnë dosjen deri më 31 dhjetor, më pas bllokohen proceset.

Dokumentet

Në momentin që një person do të nisë procedurën për të kërkuar njohjen dhe kthimin e tokës së trashëguar, do të duhet të plotësojë një formular “për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi me prokurë të posaçme (formular tip)”. Ndërsa duhet të paraqesë pranë agjencisë dokumentet që vërtetojnë pronësinë e subjektit, si dhe pozicionin gjeografik të pronës. Për këtë do të shërbejë një vërtetim pronësie lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave; dokument kadastral, si dhe një vendim gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë me vulën e gjykatës. Në mbështetje të kërkesës duhet paraqitur dhe dokument nga Arkiva Hipotekore dhe arshiva. Të rëndësishme konsiderohen dhe harta, plan-vendosje e vjetër e pronës, si dhe harta e plan-vendosjes së re. Dokumentet lëshohen nga institucione të ndryshme për kategori të ndryshme. Për tokat pyjore nga zyrat përkatëse në qarkun përkatës.

Afati

Sipas përcaktimeve ligjore, agjencia rajonale duhet të japë një vendim mbi kërkesën brenda 45 ditëve. Nëse ky afat nuk sjell një vendim, çështja i kalon Agjencisë Qendrore. Ndërsa nisja e procesit të kompensimit do të jetë në varësi të realizimit të hartës së tokave të lira, si dhe të procesit për kompensimin financiar. Për këtë çështje qeveria detyrohet që brenda 6 muajve të paraqesë hartën e tokave të lira që do të shërbejnë për kompensimin.

5 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›