Albademil pa licencë për tregti baruti

TIRANË - Baruti i tregtuar nga Mihal Delijorgji, gjatë kohës që funksiononte si “sahat zviceran” fabrika e çmontimit të municioneve në Gërdec, është shitur konform ligjit. Në fakt, kontratë për shitje baruti e lëndë plasëse nuk ka pasur Mihal Delijorgji, por ortaku i tij amerikan, Patrik C. Henri III dhe kompania e këtij të fundit, “SAC”. Ky është konfirmimi që vjen nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, të pyetur në lidhje me licencën e Delijorgjit për të shitur barut. Pas dyshimeve të prokurorisë në lidhje me pajisjen me licencë për shitje baruti nga ana e Mihal Delijorgjit dhe ligjshmërisë së kësaj licence, dje sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema, i kontaktuar nga “Korrieri”, sqaroi nëpërmjet telefonit se, në fakt, licenca është krejt e rregullt dhe se ajo ka qenë në emër të amerikanit Patrik C. Henri III, pronar i kompanisë “SAC”.
“Nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është dhënë vetëm një licencë për shitje baruti që nxirrej në Gërdec, dhe kjo është dhënë në emër të kompanisë “SAC”, dhe jo nënkontraktorit të saj “Albademil”, bëri të ditur sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema, i cili u shpreh i gatshëm që gjatë ditëve në vazhdim të vinte në dispozicion, për hir të transparencës dhe zbardhjes së të vërtetës, çdo dokument të mundshëm për të provuar ligjshmërinë e kontratës së lidhur për shitjen e barutit mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe firmës amerikane “SAC”.
Vetëm pak ditë më parë, burime nga prokuroria, e cila po heton akoma në lidhje me gjithçka ka ndodhur në Gërdec, para tragjedisë së 15 marsit, i bën të ditura “Korrierit” se ekzistojnë dyshime të forta, që pas tregtisë së barutit të përftuar nga demontimi i municioneve në fabrikën e Gërdecit ishte Mihal Delijorgji. Sipas prokurorisë, leja e dhënë për eksportin e barutit ishte jo pak “e dyshimtë” dhe se po hetohet gjithçka në lidhje me të dhe me destinacionin përfundimtar të barutit. Ishte pikërisht baruti i gjendur në sasi gjigante në Gërdec, shpërthimi i të cilit shkaktoi tragjedinë me 26 viktima në 15 mars. Sipas burimeve hetimore, baruti ndodhej në Gërdec, pikërisht për shkak të lejes së eksportit që disponohej, dhe se po grumbullohej për t’u shitur i gjithi së bashku me “një treg të mirë”.