E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enti Rregullator kundër FMN-së

FMN nuk tërhiqet. Kërkon bisedime dhe me korporatën për rritje të çmimit të energjisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka konkretizuar pranë autoriteteve shqiptare kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë. Përfaqësues të Fondit Monetar kanë nisur gjatë ditës së djeshme diskutimet maratonë me entin rregullator për rritjen e çmimit të energjisë në muajin korrik, por kjo kërkesë është hedhur poshtë. Burime pranë Entit Rregullator të Energjisë kanë thënë për gazetën “Korrieri”, se kërkesa e Fondit Monetar për rritjen e çmimit vjen për shkak të nivelit të ulët të pagesave dhe vështirësive financiare në të cilat gjendet korporata. Por pas një mbledhjeje maratonë, kërkesa e përfaqësuesve të FMN-së për rritje çmimi është hedhur poshtë nga drejtuesit e Entit Rregullator të Energjisë, të cilët nuk kanë pranuar një rritje tjetër të çmimit të energjisë për vitin 2008. Enti Rregullator ka argumentuar se kushtet e mira klimaterike kanë mundësuar që për këtë vit të ketë furnizim të plotë të energjisë, duke eliminuar edhe kufizimet. Përveç kësaj, gjatë kësaj periudhe korporata energjetike ka depozituar energji në Kosovë rreth 1.5 milionë kilovatë energji në ditë, për ta tërhequr atë në periudhën e verës. Nga ana tjetër, edhe vetë Enti Rregullator ka pranuar që korporata energjetike duhet të përmirësojë nivelin e arkëtimeve të energjisë. Por diskutimet për rritjen e çmimit të energjisë nuk përfundojnë me kaq. Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë kërkuar që diskutimet për rritjen e çmimit të energjisë të vijojnë edhe me drejtuesit e korporatës. Por duke u nisur nga fakti që drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, pas miratimit të ERE-s në muajin mars të rritjes së çmimit të energjisë, mbeti i pakënaqur dhe kërkoi një tjetër rritje, e cila parashikon që KESH-i të bjerë dakord me kërkesën e FMN-së. Gjithashtu, nuk duhet harruar fakti që pas privatizimit të sistemit të shpërndarjes, investitorët do të kërkojnë rritje të çmimit të energjisë. Për sa i përket furnizimit me energji, autoritet qeveritare garantojnë në vitin 2009 furnizim të plotë, pasi edhe projektet e nisura tashmë për rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend, sikurse janë TEC-i i ri në Vlorë dhe linja 400 kv Elbasan-Podgoricë përfundojnë në mes të vitit 2009. Këtu përfshijmë edhe projektet për prodhuesit e lëvizshëm të emergjencës, me fuqi deri në 200 MW etj. Por në këtë drejtim do të shërbejë edhe rrjeti i HEC-eve të vegjël, ndërtimi i të cilëve ka nisur gjatë vitit 2007 dhe do të vijojnë sipas kërkesave nga privatët dhe marrëveshjeve koncesionare që do të lidhen me Ministrinë e Energjetikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›