Champions 2008-09, rikthehen kampionët

Sezoni i ardhshëm i Ligës së Kampioneve do të jetë një kupë e vërtetë kampionësh. Të gjitha skuadrat e mëdha që kanë shkruar historinë e kompeticionit më të rëndësishëm evropian, përjashto ndonjë surprizë, do të jenë sezonin e ardhshëm në Champions. Megjithatë, për të përfunduar këtë vepër arti duhen pritur edhe javët e fundit dhe ndeshjet paraelimininatore.
Anglia, mbretëresha e këtij sezoni, tashmë i ka prenotuar katër vendet e saj për katër skuadrat më të mira. Mançester Junajtid, Çelsi, Arsenali dhe Liverpuli janë të sigurt për të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Champions. “Topçinjtë” dhe “të kuqtë” do të duhet të kalojnë një tur paraeliminator. Italia përgjigjet me Interin, Romën, Juven dhe (mbase) Milanin. Kjo në Serinë A nuk ndodhte që nga sezoni 2004-05. Udineze, Kievo e Lacio kanë qenë surprizat e viteve të fundit. Me rikthimin e bardhezinjve, futbolli italian do të jetë më kompetitiv në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve.
Në Spanjë, Reali i Madridi (kampion i Spanjës) dhe Vijarreali tashmë e kanë siguruar vendin në radhë të parë, ndërsa pritet që këtyre t’u bashkohet edhe Barcelona, që nuk ka ende sigurinë matematike. Por me shumë mundësi do të jetë vetëm çështje kohe. Hyrja e re mund të jetë Atletiko e Madridit. Jashtë mund të mbetet Sevilja dhe sigurisht Valencia, e cila po rrezikon rënien nga kategoria.
Rikthehet në Champions pas një viti pushim edhe Bajerni i Mynihut (kampion i Gjermanisë), pas sezonit të hidhur në kupën UEFA. Verder Bremen dhe Shalke mund të jenë dy skuadrat e tjera gjermane në Ligën e Kampioneve. Në Francë përveç Lionit dhe Bordosë, Nansi është gati t’i zërë vendin Marsejës së Lorik Canës. Por diferenca prej dy pikësh mes të dyja skuadrave lë gjithçka të hapur.
Surpriza vjen nga Portugalia, ku me shumë mundësi jashtë do të jetë Benfika (2 trofe dhe prezencë konstante në Evropë vitet e fundit). Në vend të saj mund të jetë surpriza Vitoria Guimaraesh, e cila duhet të mundë të dielën e ardhshme Estrela Amadorën në javën e fundit. Për një super-Champions do të ishte më mirë të kualifikohej skuadra e Rui Kostës.