E operojnë nga tiroidet, humbet zërin

BURREL - Historitë me mjekët e vendit tonë janë bërë si barsoletat me policët, me ndryshimin e vetëm që në vend të të bëjnë për të qeshur, të çojnë lotët rrëke. 34-vjeçari Afrim Kadiu është operuar dy herë nga gjëndrat tiroide, por gjendja shëndetësore e tij sa vjen e përkeqësohet, madje në ndërhyrjen e fundit kirurgjikale ai humbi edhe zërin. Historia vjen nga fshati Gurrë në Mat, ndërsa Kadiu qëndron shtrirë duke luftuar për jetë a vdekje, pasi ka bllokim të frymëmarrjes dhe qafa i është ënjtur. Vëllai më i vogël i tij, Shkëlqimi, ka lënë kurbetin për t’i qëndruar pranë vëllait, të cilin për më tepër e ka transferuar në një fshat më të afërt, në Shulbatër, më pranë rrugës nacionale, e natyrisht edhe spitalit të Burrelit. Prej dy vitesh, qëkur Afrimi është operuar në QSUT-në e Tiranës, 34-vjeçari që jeton me 2600 lekë në muaj nga KEMP-i, është bërë një frekuentues i rregullt i urgjencës së spitalit. Mjekë specialistë shprehen se në operacione të tillë nuk është normale të të ikë si me magji zëri, vetëm nëse duart e atij që e ka marrë përsipër gabojnë...
Dy operacionet që i morën zërin Kadiut
“Është operuar dy herë në Tiranë brenda dy muajsh nga mjeku M. A.”, thotë Shkëlqimi për të vëllanë, pasi këtij të fundit nuk i ka mbetur më zë për të komunikuar. Pas operacionit të parë, u tha se gjithçka kishte përfunduar me sukses. “Por kur gjendja u përkeqësua, babai im, Skënder Kadiu, e dërgoi përsëri tek i njëjti mjek, i cili tha se duhej operuar sërish. Unë isha në Greqi atë kohë”, pohon Shkëlqimi. Fatkeqësisht, këtë herë Afrimi do të humbiste edhe të folurit, ndërsa mjeku premtoi se gjendja shëndetësore e tij do të përmirësohej. “Për operacionin e parë e paguam mjekun M. A. me 48 mijë lekë të rinj, për të dytin 30 mijë lekë, pa përmendur këtu shpenzimet për specialistët ndihmës të mjekut”, tregon vëllai i Afrimit, i cili shton se, nëse ndodh më e keqja, ajo që ata i tremben, mjeku e ka punën keq. “Këtë ia kam thënë edhe atij”, shton ai. Madje, nuk e mohon se do të merrej privatisht me mjekun, i cili jo vetëm nuk e shëroi vëllanë, por i hoqi edhe të folurit. “Kam biseduar me mjekë të njohur dhe më janë shprehur se gjatë operimit të dytë mjeku ka vepruar keq, pasi vetëm gabimet gjatë operacionit i heqin zërin pacientit”, thotë Shkëlqimi. Sipas mjekut që e operoi, Afrimi duhet të kryejë edhe një ndërhyrje tjetër, por këtë herë në një shtet të huaj, në Turqi apo gjetkë, ku nevojiten së paku 20 mijë euro, të cilat familja Kadriu as nga dheu nuk i nxjerr dot. Muaj më parë, familja Kadiu i është drejtuar me një letër znj. Liri Berisha, ku i është kërkuar ndihmë. Ajo është përgjigjur se letrën e kishte marrë, por nuk ka thënë më shumë se çfarë mund të bëhet me 34-vjeçarin Afrim Kadiu.