E Diel, 1 Nëntor 2026

AKKP-ja pezullon procesin e kompensimit fizik derisa të shqyrtohen 8 mijë ankesa



Laureta Rryçi

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka vendosur të pezullojë procesin e kompensimit fizik derisa të shqyrtohen të gjitha ankesat për pronat. Burime pranë Agjencisë, pohuan se ky urdhër është dhënë pas grumbullimit të të gjitha dosjeve nga rrethet në Zyrën Qendrore të kryeqytetit. Drejtuesit e AKKP-së kanë gjykuar se duke qenë se numri i ankesave shkon në tetë mijë, më parë t’i shqyrtojnë ato dhe më pas të nisin kalkulimet për kompensimin fizik për ish-pronarët. Të njëjtat burime saktësuan se tashmë ka nisur shqyrtimi i këtyre qindra mijëra dosjeve që u përkasin konflikteve për pronat në të gjithë vendin. Urdhri për pezullimin e procesit është bërë pak javë pasi Këshilli i Ministrave përcaktoi dhe afatin e shkrirjes së Agjencisë. Ligjërisht procesi i kthimit të pronës është mbyllur që më 31 dhjetor të 2008-s për dorëzimin e dokumenteve, por ka pasur dhe një afat të dytë deri më 31 qershor 2009, si afati i fundit për shqyrtimin e kërkesave. Megjithatë, pas kërkesës së drejtuesve të AKKP-së për një afat të tretë për shkak të numrit të lartë të kërkesave, qeveria e pranoi këtë kërkesë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit prej më shumë se një viti nuk jep më vendime për kthimin fizik. Ndërsa procesi i shqyrtimit është mbyllur që në qershor të vitit 2009.
Ligji
Në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, në Nenin 24 të tij përcaktohet se “procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon në datën 31.12.2008, me përjashtim të kryerjes së pagesës së kompensimit, e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në Nenin 23 të këtij ligji”. Mbi këtë bazë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk mund të kryente asnjë veprim për njohjen dhe kthimin e pronës në asnjë prej zonave të Shqipërisë. Por ky afat është shtyrë njëherë nga Kuvendi, i cili përcaktoi si afat përfundimtar qershorin e vitit 2009. Ashtu siç thuhet edhe në Neni 24, i vetmi proces pune që po kryen tani personeli i agjencisë, është ai i kryerjes së pagesës së kompensimit të ish-pronarëve. Pezullimi i procesit ndikon në shtyrjen e afatit për kompensimin financiar të pronarëve. Për këtë shkak ky afat tashmë është përcaktuar deri në vitin 2015. Kjo përcaktohet në Nenin 23 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Në këtë nen thuhet se “duke filluar nga viti 2005 dhe për një periudhë 10-vjeçare resht, Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, cakton fondin e kompensimit, i cili administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin në të holla të subjekteve të shpronësuara”. Problem për shqyrtimin e kërkesave në kohë është edhe mungesa e hartografëve. Sipas ligjit përgjigjja për një kërkesë duhet të jepet për tre muaj, mirëpo për shkak të problemeve teknike përgjigjet jepen edhe më vonë.
Kërkesat
Drejtuesit e AKKP-së shprehen se tani që dosjet ndodhen në zyrën qendrore shqyrtimet do të bëhen në një kohë më të shkurtër. Megjithatë, pavarësish vendimeve që do të jepen për këto 8 mijë kërkesa, qytetarët që nuk kanë qenë dakord e kanë ankimuar atë në Gjykatë. Kështu, procesi deri në një saktësim të pronarit të ligjshëm ka vijuar për shumë kohë. Sipas legjislacionit, kur qytetarët nuk janë dakord me vendimin e AKKP-së qendrore, kanë të drejtë të bëjnë ankimim vetëm pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Ky ankimim cilësohet i vlefshëm vetëm nëse bëhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit të AKKP-së. Pikërisht këtë përcaktim ligjor kanë shfrytëzuar 1 mijë qytetarët që i janë drejtuar Gjykatës. Burime pranë kësaj gjykate shpjegojnë se padi me objekt shfuqizimin e vendimit të AKKP-së depozitohen thuajse çdo ditë. Sipas të dhënave zyrtare pranë kësaj gjykate, procese të tilla civile zgjasin 460 ditë vetëm në shkallën e parë. Më pas, vendimi, që të marrë formën e prerë, duhet të kalojë të gjitha shkallët e Gjyqësorit, që me një kalkulim të përafërt, duhen rreth tre vjet. AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër. Jo më vonë se 45 ditë nga regjistrimi i ankimimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së merr vendim për objektin e ankimimit. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së është i detyruar të vendosë ose lënien në fuqi të vendimit, ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij. Kundër vendimit për lënie në fuqi të vendimit të AKKP-së së zyrës rajonale, ankimi kryhet pranë gjykatës së rrethit në territorin e qarkut ku ka vendndodhjen zyra rajonale e AKKP-së së qarkut dhe mbrojtja e interesave të AKKP-së kryhet nga zyra rajonale e AKKP-së së qarkut. Kur vendimi zgjidh çështjen në themel, ankimi kryhet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë dhe AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër.

Box

Rastet kur njihet e drejta e pronësisë dhe kthimi i pronës

Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen pa kufizim pronat e paluajtshme, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri në 100 ha, në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) nuk kanë përfituar nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”.

Kur subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) kanë përfituar tokë nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, atëherë sipërfaqja që kthehet apo kompensohet, sipas këtij ligji, llogaritet si diferencë ndërmjet pjesës që do t'i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me sipërfaqen që secili prej tyre ka përfituar nga zbatimi i këtij ligji.

U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas Ligjit Nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar.

Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës dhe tokat bujqësore të përfshira në veprimtaritë eksperimentale-shkencore të instituteve kërkimore-shkencore dhe në çdo veprimtari tjetër të institucioneve të ndryshme shtetërore, por që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre.

Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord për t’i përdorur për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar.

Kur investimi është kryer mbi një tokë pronë publike, subjekti kontraktues i paguan shtetit brenda 6 muajve vlerën e truallit me çmimin e tregut. Të ardhurat e realizuara nga shitja përfshihen në fondin e kompensimit të pronave.

Subjektet e shpronësuara, pronat e të cilave janë përmbytur nga ndërtimi i hidrocentraleve, trajtohen sipas dispozitave të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur kanë përfituar sipas ligjit “Për shpronësimet për interes publik”. Toka do të vlerësohet si truall industrial.

Subjektet e shpronësuara dhe të kompensuara sipas ligjeve në fuqi kanë të drejtën e përfitimit nga ky ligj vetëm për pjesën e pronës së pakthyer ose të pakompensuar.

Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e ligjit të pronave

Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së Avokatit të Popullit për disa ndryshime në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit argumentuan se ndryshimet e bëra në këtë ligj dhe që ankimohen para Gjykatës prekin thelbin e të drejtës së gëzimit të qetë të pronës, cenojnë parimin e sigurisë juridike, atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe bien në kundërshtim me Kushtetutën, sipas të cilit liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Avokati i Popullit, në kërkesën e tij e cilëson antikushtetues faktin se Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka të drejtë “kryesisht” të nisë verifikimin e vlefshmërisë ose jo të një titulli pronësie edhe kur prona është e regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Avokati i Popullit, mendon se është antikushtetues dhe vendimi që drejtori i AKKP jep në përfundim të një shqyrtimi të tillë për një titull pronësie. Lidhur me këtë kërkesë, Gjykata Kushtetuese pritet që të marrë një vendim gjatë ditëve të ardhshme.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›