E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtet në burgje, Dibra kërkon të pezullojë lejet e inspektimeve



Laureta Rryçi

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve është shprehur dje me tone të ashpra ndaj disa organizmave të huaj që realizojnë inspektime nëpër burgje. Deklarata e tij u bë dje gjatë një takimi që duhej të ishte takimi formal dhe përmbyllës i një projekti dyvjeçar të titulluar "Përmirësimi i sistemit të paraburgimit në Shqipëri".
Tonet e ngritura dhe arrogante ndaj organizatorëve kanë ardhur në fund të takimit nga drejtori i Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili përballë raportit të hartuar mbi situatën në paraburgime ka reaguar ashpër duke kërcënuar se "për disa organizma do të pezullojë lejet për vëzhgime nëpër institucionet e izolimit nëse ofrohen të dhëna të tilla". Kjo deklaratë e tij i është adresuar Marta Onoratos, drejtore ekzekutive e Institutit Europian të Tiranës. Ky organizëm, së bashku me zyrën e Avokatit të Popullit dhe Shërbimin Ligjor Falas, janë zbatuesit e projektit në fjalë financuar nga Instituti i Shoqërisë së Hapur (Open Society Institute).
Takimi
Takimi ku administrata shtetërore përfaqësohej në nivel ministror dhe kishte një numër të madh personalitetesh të huaja në Tiranë ka qenë i qetë deri afër fundit, kur publikimi i të dhënave nga Onorato shkaktoi dhe zemërimin e papritur të drejtorit Dibra. Raporti ishte përgatitur pas një monitorimi për një periudhë 10-mujore të të gjitha institucioneve të paraburgimit në vend. Me këtë rast Instituti Europian i Tiranës tha se synonte hapjen e një debati të madh në lidhje me gjendjen e paraburgimit në Shqipëri, përvojat dhe sfidat e sotme dhe të ardhme. Në takim ishin të ftuar ministrat e Drejtësisë dhe Shëndetësisë, zëvendësja e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, Avokati i Popullit, Emir Dobjani, shefi i Seksionit Operacional i Delegacionit të Komisionit Europian, Luigi Brusa, zëvendësshef i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Renate Herrmanns, shefi i UNICEF-it, Detlef Palm, shefi i EURALIUS-it, Roland Miklaus, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gazmend Dibra, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile në Shqipëri.
Raporti
Gjatë fjalës së Avokati të Popullit u theksua se gjatë inspektimeve janë vërejtur disa probleme në sistemin e burgjeve në vend. Sipas Dobjanit, inspektimet kanë treguar se probleme janë hasur edhe në burgjet e sapondërtuara. Pas tij fjalën e mori drejtuesja e projektit, Marta Onorato, e cila bëri publike shkeljet dhe problemet e konstatuara gjatë inspektimeve. Sipas saj, është vërejtur se ka raste të ndryshme të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik (në institucionet e Lezhës, Korçës, Peqinit, Tepelenës dhe Vlorës). Në raport thuhej se dy persona në Spitalin e Burgut Tiranë janë mbajtur për një farë kohe të gjatë të prangosur në njërën dorë dhe këmbë pas krevatit. Në burgun e Korçës nuk realizohej ndarja midis të miturve dhe të rriturve.
Në shumë burgje ajrimi i qelive nuk është i përshtatshëm dhe kanë një ndriçim të pamjaftueshëm natyral (IEPV-të 302 në Tiranë, Berat, Kukës, Sarandë dhe Tropojë). Në përgjithësi nuk ekziston ose nuk përdoret asnjë sistem ngrohjeje për dimër. Ekzistonte një mungesë e përgjithshme e ujit të ngrohtë për higjienën personale (313, Durrës, Spitali i Burgut, Lezha, Korça, Berati, Kukësi, Saranda, Tepelena, Tropoja). Shpesh ambientet e dusheve ishin në kushte jashtë çdo standardi. Pak institucione kishin qeli me banja brenda dhe në përgjithësi banjat janë të përbashkëta nën standardet më minimum të higjienës dhe privatësisë (313, Spitali i Burgut, Rrogozhina, Peqini, Berati, Kukës, Saranda, Tropoja). Përfaqësuesja e huaj u shpreh se ka raste kur të paraburgosurit janë të detyruar të flenë ose dy vetë në një krevat ose në dysheme (313, 302, Berat, Kukës, Tepelene, Tropojë). Mbipopullimi i institucioneve të paraburgimit është një problem i përhapur (313, 302, Spitali i Burgut, Peqin, Berat, Tepelenë, Tropoja e Vlora). Infrastrukturat janë shpesh të vjetra dhe të amortizuara (313, Spitali i Burgut, Rrogozhina, Berati, Kukësi, Saranda, Tropoja). Të paraburgosurit e Tepelenës shpesh privohen nga përdorimi i telefonit dhe disa prej tyre ankohen se telefonatat ndaj Avokatit të Popullit apo organizatave të tjera bllokohen apo survejohen. E drejta e aktiviteteve fizike në ambientet e hapura është problematike në disa institucione (313 e 302 a Tirana, Berat, Kukës, Saranda e Tropoja). Ambientet për aktivitet sportiv janë në kushte të këqija ose mungojnë fare (313, 302, Burrel, Kukës, Saranda, Tropoja)

Disa nga problemet që janë konstatuar në burgje

Aktivitetet edukative janë të kufizuar dhe ndonjëherë edhe për të miturit (Lezha e Korça) dhe nuk ekziston një akses i drejtpërdrejtë në biblioteka atëherë kur këto ekzistojnë.

Ndihma mjekësore shpesh jepet me vonesë për shkak të personelit mjekësor të kufizuar (Berat, Kukës e Tepelenë). Trajtime të specializuara nuk janë gjithmonë të garantuar.

Në përgjithësi mungojnë ambulancat për transportin e të paraburgosurve në rastet e urgjencave. Nuk ekziston trajtim për personat me aftësi të kufizuar.

Nuk ekziston një trajtim i përshtatshëm për personat me sëmundje psikike apo çrregullime psikike (90% e të sëmurëve gjenden në Spitalin e Burgut por ka gjithashtu edhe në institucionet e tjera të paraburgimit, p.sh. 12 të tillë në IEPV e Vlorës).

Ka një mungesë të theksuar të psikiatërve apo psikologëve. Në disa raste këtë punë e kryejnë njerëz pa arsimin përkatës.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›