E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, i pandehuri ndryshon qëndrim



Gjatë seancës së radhës një nga të pandehurit në procesin për masakrën e Cërrikut ka ndryshuar qëndrim në lidhje më ngjarjen. Burime pranë kësaj gjykate sqaruan se Entel Gashi, kur është pyetur nga prokurori, nuk ka dhënë të njëjtat deklarata si në momentin kur dosja ishte në fazat e hetimit. Gashi mësohet se ka bërë lojëra fjalësh duke thënë se nuk dinte asgjë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 1997. Pas këtij qëndrimi, prokurori i kërkoi Gjykatës të lexonte deklarimet e dhëna nga i pandehuri, të cilat tashmë i janë bashkëngjitur dosjes për gjykim. Kërkesa u pranua dhe sipas deklarimeve rezulton se Gashi, pas arrestimit, kur është marrë në pyetje nga prokurorët, ka rrëfyer të gjithë informacionet që dinte në lidhje me ditën e ngjarjes. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, pas hetimeve njëvjeçare përfundoi hetimet dhe dorëzoi dosjen pranë togave të zeza për gjykimin e nëntë të pandehurve që organizuan dhe shkaktuan masakrën e 23 majit të vitit 1997, ku në një pritë dogjën e vranë 6 ushtarët e Gardës së Republikës dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur. Prokurorët e çështjes Adnan Xholi dhe Anton Martini pas një hetimi të hollësishëm rindërtuan pas 11 viteve skenën e krimit, ku nëntë të pandehurit në bashkëpunim me personat e tjerë që ndodhen në hetim, ideuan, organizuan dhe më pas ekzekutuan 6 gardistët që bashkë me kolegët e tyre kishin mbërritur në Cërrik për të rivendosur qetësinë, pas sulmit të ushtruar një ditë më parë në Komisariatin e këtij qytetit. Sipas kërkesës për gjykim, dy të pandehurit Llazar Bicja dhe Met Bozi kanë organizuar personat që banonin në këtë qytezë, ku disa prej tyre janë të arrestuar ndërsa të tjerët janë nën hetim, për të pritur autokolonën që po shkonte nga Elbasani në Cërrik për të vendosur qetësinë. Të vendosur në pritë, të pandehurit: Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi në bashkëpunim me persona të tjerë kanë qëlluar mbi autokolonën ku si pasojë kanë mbetur të vrarë: Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Sali Martini, Qemal Mehmeti dhe Petrit Ndoi të gjithë efektivë të policisë së Gardës së Republikës, ndërsa u plagosen: Gjergj Gjoka, Ded Margjoka, Ferd Laska, Pjeter Nikolli, Petrit Guda, Agron Kuliçaj, Pashk Ndreca, Dritan Hasa, Agim Biberi, Paulin (Vladimir) Ndoka, Petrit Nikolli, Luan Prenga, Fari Metaliaj, Petrit Gjoka, Pashk Doda dhe Sokol Kuça.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›