E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat arbitrare, kompanitë e hidrokarbureve nisin sot grevën pa afat



Ervin KOÇI

Gjobat arbitrare që u janë vendosur ditët e fundit kompanive të tregtimit të hidrokarbureve nga Tatimet, kanë detyruar subjektet që të marrin vendimin për nisjen e një greve të përgjithshme. Kjo grevë e përgjithshme do të përfshijë të 1200 pikat e tregtimit të karburanteve me pakicë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Këto stacione të furnizimit me karburant të mjeteve nga dita e nesërme mund të mbyllen për një grevë 24-orëshe, e para e këtij lloji në vendin tonë. Kjo gjë do të vendoset në mbledhjen e përfaqësuesve të shoqatave të hidrokarbureve, që do të zhvillohet sot në mesditë. Disa prej tyre, të kontaktuar dje nga gazeta “Albania”, deklaruan se “protesta do të paralajmërohet në mënyrë që të mos dëmtohen qytetarët, ndërkohë që ajo do të shërbente si një paralajmërim për qeverinë dhe se do të kishte edhe përshkallëzim të mëtejshëm në rast se do të vihen në zbatim gjobat, sipas tyre absurde, që u janë vënë disa kompanive. Vetëm një subjekti grosist i është vënë një gjobë 20 milionë euro, që deri më sot shteti shqiptar nuk e ka vendosur kurrë ndonjëherë”. Por, shoqatat kundërshtojnë arbitraritetin e veprimit të ndërmarrë me nismën e vetë kryefinancierit Ridvan Bode. Ka qenë ky i fundit, që në Kuvend ka dhënë shifrën e 4.85 miliardë lekëve si penalitete të ndërmarra kohët e fundit ndaj subjekteve që operojnë në fushën e hidrokarbureve.

Gjobat

Subjektet e hidrokarbureve sqarojnë se, realisht deri në këto momente ndaj shoqërive që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë nuk është aplikuar asnjë gjobë. Gjobat ende janë në proces objeksionesh. Por, është e vërtetë që me urdhër të drejtorit të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj (VIP), është urdhëruar rikontroll dhe kontroll masiv për periudhën 2008-2009. Nga ky kontroll kanë dalë disa raporte kontrolli, të cilat, në gjykimin e kompanive, nuk mbështeten në ligj dhe realitetin ekonomik të subjekteve. Masa e ndëshkimit ndaj kompanive të naftës shkon deri në 50 milionë dollarë, kurse për disa të tjera është urdhëruar mbyllja e aktivitetit. Punonjësit e Tatimeve janë bazuar mbi një çmim mesatar, për të cilin herë thonë se është çmim i investiguar, dhe herë se është një çmim i INSTAT-it. Me këtë çmim të fiksuar, të pambështetur në realitetin e tregut, ata kërkojnë të rivlerësojnë të gjithë veprimtarinë e kompanive, gjë me të cilën subjektet nuk janë dakord. Duke dashur të sqarojnë opinionin publik, Shoqata e Hidrokarbureve tha dje se, "çmimet me të cilët konsumatorët blejnë çdo ditë karburantin, janë të ndryshme në qytete, rrugë nacionale, Tiranë e rrethe dhe mes kompanive dhe janë të pasqyruara në dokumentet kontabile të çdo kompanie". Për këto dhe të tjera probleme, është kërkuar ndërhyrja e ministrit të Financave dhe është vënë në dijeni Kryeministri me anë të një letre. Shoqata pret përgjigje, por në rast se situata nuk ndryshon, reagimi do të jetë serioz.

Kasat

Për sa i përket vonesës në vendosjen e kasave fiskale, siç parashikon ligji, nga Ministria e Financave janë caktuar pesë kompani për t'i furnizuar ato. Shoqëritë e Karburanteve u kanë krijuar çdo lehtësi që ato të kenë mundësi të realizojnë këtë proces, por sipas deklarimit të tyre, shoqëritë e fiskalizimit nuk arrijnë t'i montojnë. Kjo, pasi lidhja e tyre me pompat e benzinës kërkon teknologji të veçantë. Por, në mënyrë paradoksale, tatimorët kanë gjobitur dhe mbyllur disa stacione të shitjes me pakicë të karburanteve, pavarësisht se janë zhvilluar një serë takimesh dypalëshe. Sipas subjekteve të naftës, shitësit e kasave kanë deklaruar se vetëm 70% e pompave do të mund të lidhen me kasa. Një gjë e tillë i është bërë e ditur, madje edhe kryeministri Berisha, krahas ministrit Bode. Vetë subjektet tregtare kanë paguar paradhënien e kërkuar për kasat, por mosvendosja nuk ka qenë për faj të tyre. "Kemi kërkuar ndërhyrjen e tyre për të ndaluar rivlerësimet antiligjore të tatimorëve si dhe të përcaktojnë një kuadër ligjor të përshtatshëm për vendosjen e kasave fiskale", - theksojnë tregtarët. Duke shtuar se në ditët që vijnë, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarburave do të bëjë publike të gjitha hapat që do të ndërmarrë në mbrojtje të lirive ekonomike që u garanton sistemi.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›