AKKP: Çmimet e tokave në bregdet
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, qeveria programon skemën e re për kompensimin e ish-pronarëve. Tokat e lira pranë bregdetit të Jonit dhe Adriatikut, liqenit të Pogradecit dhe Shkodrës, dhe zonat jashtë parkut kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës, do të shkojnë në favor të ish-pronarëve. Kryeministri Sali Berisha ka njoftuar se qeveria ka identifikuar mijëra hektarë troje publike në brigjet turistike për t`ua kthyer pronarëve. "Një grup ad-hock ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët", tha Berisha. Sipas Kryeministrit, grupi i punës ka pasur për bazë të punës tokat publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë, dhe e gjithë kjo nismë do të konkretizohet së shpejti në një paketë të re aktesh nënligjore. Shefi i qeverisë sqaroi se kompensimi financiar për ish-pronarët për momentin është i papërballueshëm, ndaj ka veçuar se qeveria ka zgjedhur një zgjidhje tjetër. "Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe mundësia e parë më e madhe është t‘u ofrojmë pronarëve troje turistike", nënvizoi Kryeministri. Kreu i ekzekutivit veçoi sakaq se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është një proces themelor, me një faturë që vjen në rritje progresive. "Çmimi i trojeve ka arritur në 2 mijë euro në qendër të Tiranës dhe ju siguroj se në vitet në vazhdim do të arrijë në 5 mijë e më shumë euro. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, në përputhje me detyrimin madhor që shteti ka ndaj ish-pronarëve, që ato të rikthehen ku është e mundur, të kompensohen", u shpreh Berisha. Sipas tij, pa faktorin kompensim ky proces nuk mund të kompletohet në asnjë mënyrë, sepse zëniet e sipërfaqeve janë shumë të mëdha dhe janë jashtëzakonisht të kushtueshme. Një grup ad-hoc i autorizuar nga qeveria, prej disa muajsh ka bërë matje në zonat bregdetare, prej nga ku ka rezultuar se mijëra hektarë toke atje janë të lira dhe mund të përdoren si mjet për kompensimin e ish-pronarëve. Kryeministri sqaroi se kjo tokë do t‘u jepet ish-pronarëve në formën e trojeve turistike, që do të thotë se ata mund të investojnë në to, por gjithmonë sipas rregullave që parashikohen në këtë rast. Kryeministri Berisha theksoi se harta e çmimeve është përfunduar dhe mbi bazën e atyre çmimeve do mund të përdoret një sipërfaqe e madhe, që është identifikuar dhe verifikuar me të gjitha dokumentacionet se është sipërfaqe publike. Ajo që ka ngelur vetëm për t‘u përcaktuar është procedura e transferimit dhe mënyra se si do të shpërndahet kjo sipërfaqe. Duke theksuar se këto troje do të mund të përdoren në përputhje me parimet dhe platformën e zhvillimit të turizmit, Kryeministri Berisha tha se në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve janë identifikuar mijëra hektarë dhe territoret për këtë qëllim janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet, ai i Shkodrës dhe Pogradecit. Sikundër, u shpreh Kryeministri, duhet të bëhet një shqyrtim edhe për zonën jashtë Parkut Kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës. Kryeministri tha se sipërfaqet e identifikuara janë verifikuar me të gjithë dokumentacionin e duhur si troje publike, çka lejon më tej përcaktimin e procedurës së transferimit e shpërndarjes së tyre. "Atyre që diskutojnë me qortim për problemin e pronave, duke mos injoruar se ka defekte dhe probleme, dua gjithashtu t‘u rikujtoj se është një problem jashtëzakonisht kompleks dhe me një faturë të jashtëzakonshme, por kjo qeveri ka një vullnet të hekurt për të ecur drejt zgjidhjes", tha Berisha. Kreu i ekzekutivit shtoi se kjo nismë e bën procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave të arritshëm. "Unë e kuptoj që mund të ketë pikëpamje se kjo mund të dëmtojë zhvillimin e turizmit, por mendoj se kjo e ndihmon zhvillimin e tij. Nuk ka marrëdhënie më solide se marrëdhëniet kontraktuale midis privatëve. Një proces që mund të duket se krijon një problem, në fakt është një proces që zgjidh një problem të madh", tha ai.
Çmimet e tokave sipas AKKP-së
Dhërmi: 2281 lekë/m2
Palasë: 1729 lekë/m2
Pilur: 671 lekë/m2
Orikum: 17867 lekë/m2
Radhimë: 2143 lekë/m2
Zvërnec: 1617 lekë/m2
Delvinë: 1191 lekë/m2
Ksamil: 3686 lekë/m2
Në Shkodër
Çmimi max: 31753 lekë/m2
Çmimi min: 13429 lekë/m2
Velipojë: 1286 lekë/m2
Pogradec
Çmimi max 27177 lekë/m2
Çmimi min 22000 lekë/m2
Çmimet e tokave sipas AKKP-së
Dhërmi: 2281 lekë/m2
Palasë: 1729 lekë/m2
Pilur: 671 lekë/m2
Orikum: 17867 lekë/m2
Radhimë: 2143 lekë/m2
Zvërnec: 1617 lekë/m2
Delvinë: 1191 lekë/m2
Ksamil: 3686 lekë/m2
Në Shkodër
Çmimi max: 31753 lekë/m2
Çmimi min: 13429 lekë/m2
Velipojë: 1286 lekë/m2
Pogradec
Çmimi max 27177 lekë/m2
Çmimi min 22000 lekë/m2