Kreu i LSI-së, bashkëbisedim me të papunët
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me deputetë dhe drejtues të tjerë takuan dje të papunët, te sheshi "Ushtari i Panjohur", që prej vitesh njihet si sheshi simbol i kategorisë së të papunëve. Meta zhvilloi një bashkëbisedim me dhjetëra të papunët, që qëndrojnë çdo ditë për orë të tëra, duke pritur ofertën e radhës, në këtë shesh. Ai dëgjoi problemet dhe hallet e të papunëve dhe premtoi se më 29 qershor "Qeveria jonë, do të punojë që të gjithë shqiptarët të kenë mundësi të punojnë". Duke bashkëbiseduar me të papunët, Meta u shpreh se "jo rastësisht jam sot këtu, pranë këtij monumenti që është një simbol i rëndësishëm për çlirimin e Tiranës dhe Shqipërisë, "Ushtarit të Panjohur", por që sot më shumë është simbol i papunësisë dhe varfërisë në Shqipëri. Kushdo, tha ai, çdo ditë, mund të vijë këtu e të takojë me qindra shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë mundësi për të punuar, nuk kanë asnjë mundësi për të çuar të ardhura në familjet e tyre, për të përballuar bukën e fëmijëve dhe aq më tepër shkollimin e tyre.