Ambasadori Uidhers fton të rinjtë të votojnë në qershor
Kreu i diplomacisë amerikane në kryeqytetin shqiptar, Xhon Uidhers, ftoi dje të rinjtë të bëhen pjesë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Gjatë fjalës së tij në një tryezë të organizuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri me studentë të Universitetit të Tiranës, ai vlerësoi se përmes votës ne kemi në dorë të zgjedhim qeverisjen tonë. "Ju të rinjtë mund ta shprehni vullnetin tuaj në zgjedhjet që do të zhvillohen në verë. Por ajo që është më e rëndësishme është ajo që ju do të bëni pas zgjedhjeve. Nëse ka dikush që mund të ndryshojë botën ata jeni ju. Unë ju sugjeroj ta provoni dhe të votoni", u shpreh Withers. Sipas tij duhet ndërtuar infrastruktura, pra stadiumi duhet të përfundojë dhe eventualisht të gjitha vendet e stadiumit duhet të plotësohen. Por, vijoi ai, mendoj se pyetja e vërtetë që bëhet tani është se kush janë sportistët. "Nuk mendoj se duhet domosdoshmërisht të kesh një stadium që të mbash një garë. Disa prej atletëve më të famshëm në botë vijnë nga vendet më të varfra, p.sh. atletët nga Etiopia. Nuk kanë as këpucë për të veshur, ndërsa marrin pjesë në garë, stërviten me vendosmëri dhe zgjedhin të marrin pjesë në garë", nënvizoi Uidhers. Infrastruktura do të vijë, tha ai, dhe mund ta shohësh këtë zhvillim në disa mënyra. "Në vështrimin tim një ndër elementet më të rëndësishme të kësaj infrastrukture do të realizohet vetëm pas disa javësh kur Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s", u shpreh ai. Kreu i diplomacisë amerikane mendon se lëvizja integruese me demokracitë e mirëthemeluara të botës, pra integrimi i Shqipërisë si pjesë e këtij komuniteti po afrohet. "Këtu në Shqipëri ne kemi disa programe, qëllimi i të cilave është ndihma në ndërtimin e demokracisë. Ekzistenca e një gjyqësori të pavarur nuk është gjëja që e bën demokracinë të vështirë, por vërtet diçka të shkëlqyer", konstatoi Uidhers. Diplomati sqaroi se askush nuk thotë ndonjëherë se demokracia është një gjë e lehtë. "Detyrimi është që secili prej degëve të pushtetit duhet të kryejë rolin e tij direkt që i takon, rolin e pavarur të tij", nënvizoi Uidhers.