Ministri Basha takon parlamentarin grek
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, priti dje në takim kryetarin e Grupit të Miqësisë Greqi-Shqipëri në Parlamentin grek, Georgios Tryfonidis. Ministri, pasi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve që ekzistojnë midis dy vendeve, si vende fqinje dhe mike me histori, afërsi e lidhje tradicionale bashkëpunimi, falënderoi në mënyrë të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme që Greqia dhe Parlamenti i saj i kanë dhënë dhe po i japin Shqipërisë në realizimin e aspiratës së saj, integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Tryfonidis, nga ana e tij, vlerësoi hapat e bërë nga Shqipëria në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike, si dhe në realizimin me sukses të reformave dhe projekteve të ndërmarra nga qeveria shqiptare në ekonomi, infrastrukturë, turizëm etj. Duke ndarë të njëjtat vlerësime me ministrin Basha për nivelin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona, ai theksoi se ekzistojnë mundësi të mëtejshme për zgjerimin dhe fuqizimin e tyre në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët.