Protesta për Gërdecin, "Mjaft!" kritikon opozitën
Lëvizja "Mjaft!" lëshoi dje publikisht një sërë akuzash ndaj partive të opozitës sa i takon protestës për njëvjetorin e Gërdecit. "Në datë 9 shkurt, kur lançuam fushatën e 15 Marsit, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve mbi Tragjedinë e Gërdecit, deklaruam gjithashtu se më 15 mars të këtij viti do të organizonim një manifestim qytetar në sheshin "Skënderbej" për të kërkuar përgjegjësi për këtë tragjedi", thuhet në njoftimin e "Mjaft!". Sipas tyre, premtimi kryesor i kësaj lëvizjeje dhe fushate për të kërkuar përgjegjësi për Gërdecin ishte se ky manifestim nuk do të ndodhte nën asnjë flamur politik. "Duke marrë shkas nga angazhimi më i fundit i opozitës shqiptare për të krijuar evenimente paralele për këtë çështje, ne (Lëvizja "Mjaft!" dhe të gjithë ata qytetarë të angazhuar në këtë fushatë), shprehim indinjatën tonë ndaj opozitës dhe zotohemi të mbajmë premtimin tonë se kjo fushatë do të jetë në çdo moment apolitike", premtoi "Mjaft!".