Presidenca çeke, pak gjasa ta shqyrtojë
Aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian duket se do të mbetet një lëvizje elektorale. Burimet diplomatike sqarojnë se edhe nëse një hap i tillë do të ndërmerret nga qeveria shqiptare para zgjedhjeve, nuk do të ketë një shqyrtim të shpejtë. Thënë ndryshe, aplikimi i mundshëm, i dorëzuar në këtë moment, do duhet të shqyrtohej nga presidenca suedeze, që merr mandatin pas muajit qershor. Sipas procedurave, procesi i aplikimit kalon në disa faza, ku përfshihen kryesisht dy ndër strukturat më të rëndësishme të BE-së, përkatësisht Këshilli dhe Komisioni Evropian. Procesi i aplikimit nis me paraqitjen e aplikimit për anëtarësim nga vendi aplikant, vendi që mban presidencën e BE-së. Të gjitha vendet e përfaqësuara në Këshill duhet të vendosin në unanimitet për t‘i kërkuar ose jo Komisionit për përgatitjen e avis. Mundësitë e përgjigjeve janë disa: Së pari është ai çka mund të cilësohet refuzim elegant, i cili nënkupton shtyrje të procesit të shqyrtimit nga njëri takim i këshillit në tjetrin, ose nga njëra presidencë në tjetrën. Mundësia tjetër është të mos e fusë në rendin e ditës shqyrtimin e aplikimit, duke e lënë këtë proces për një moment të dytë, më të përshtatshëm. Tjetër mundësi është vendosja e disa detyrave të shtëpisë, ose kritereve për t‘u përmbushur përpara fillimit të procesit të shqyrtimit të aplikimit që lidhen kryesisht me realizimin cilësor të reformave. Në rastin kur aplikimi është shqyrtuar dhe Komisioni ka dhënë opinionin e tij, Këshilli duhet të vendosë sërish në mënyrë unanime për t‘i dhënë ose jo aplikantit statusin e vendit kandidat. Mundësitë që Këshilli të japë një vendim jo pozitiv në këtë fazë janë shumë të pakta, megjithatë mundësia e refuzimit të Këshillit nuk është një opsion i pamundur. Në këtë fazë, Këshilli ka dy mundësi: E para është refuzimi i butë që mund të jetë në trajtën e vendimit të kushtëzuar, ku vendit aplikant i vihen një listë kriteresh specifike për të përmbushur, përpara se Këshilli të japë një përgjigje pozitive. E dyta është që Këshilli të veprojë si në rastin e Maqedonisë, ku të japë statusin e vendit kandidat, por pa përcaktuar një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim.