E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP, qeveria shkrin zyrat rajonale

Dosjet e rretheve depozitohen pranë AKKP-së në qendër. Brenda 3 muajve, nga paraqitja e kërkesës, AKKP-ja është e detyruar të shqyrtojë dosjen

Me shkrirjen e zyrave rajonale, të gjitha kompetencat, që ato kanë deri më tani do i kalojnë AKKP-së

TIRANË- Mungesa e efektivitetit në reformën e pronësisë në vend ka detyruar sërish qeverinë që të ndërmarrë një nismë të re ligjore, për ndryshimin e organizimit dhe funksionimit të institucionit përgjegjës për këtë proces. Bëhet fjalë një organizim të ri jo vetëm strukturor, por edhe si organ të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila parashikohet tashmë që të funksionojë si një zyrë e vetme në Tiranë, pa degët e saj në rrethe. Pra pikërisht shkrirja e këtyre degëve të agjencisë është parë si ilaçi i duhur për ti dhënë zgjidhje çështjes së pronësisë në rajone, ku dhe puna ka ecur më ngadalë.

Projektligji
Për këtë qëllim, ditët e fundit qeveria me propozim të Ministrit të Drejtësisë ka paraqitur për miratim në Kuvend projektligjin "Për disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës". Nëpërmjet këtij drafti ajo kërkon të bëjë një sërë amendimesh, ku më të rëndësishme janë shkrirja e agjencive rajonale dhe kalimin e kompetencave dhe dosjeve të tyre agjencisë qendrore, përcaktimi i afatit për ankimimet, si dhe shtyrja deri në fund të vitit 2011, e afatit kur dhe duhet të përfundojë procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave në të gjithë Shqipërinë. Me shkrirjen e zyrave rajonale, të gjitha kompetencat, që ato kanë deri më tani do i kalojnë AKKP-së. Për këtë arsye, kësaj agjencie me ndryshimet e propozuara i shtohen një sërë kompetencash, që më parë i kishin zyrat rajonale, duke i dhënë të drejtë asaj që të shqyrtojë të gjitha dosjet e prapambetura ashtu edhe kërkesat e reja, që do të paraqiten në vijimësi.

Kështu, AKKP-ja përfundon brenda 3 muajve, nga paraqitja e kërkesës shqyrtimin e dosjeve të subjekteve të shpronësuara për njohjen, kthimin e njohjen e së drejtës së kompensimit, të depozituara në zyrat rajonale të AKKP-së, në qarqe, për të cilat nuk është marrë vendim nga këto zyra, duke kontrolluar, vlerësuar e konfirmuar tërësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret, e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi, vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara, përmes ballafaqimit me aktet, ligjore e nënligjore, ose vendimet gjyqësore të cilat kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë të pronës nga shteti.

Pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-se shprehet me vendim brenda 3 muajve nga nisja e procedimit te trajtimit të kërkesës, për rrëzimin e kërkesës apo njohjen, sipas rastit, e se drejtës së pronësisë, kthimin a kompensimin e pasurisë. I njëjti afat është i vlefshëm edhe për rastin e kërkesave të regjistruara më para, por të pa trajtuara nga agjencitë rajonale. Ndërkohë që në draftin e paraqitur është parashikuar që zyrat rajonale do të pushojnë së funksionuari 15 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ndërsa brenda 45 ditëve ato duhet të paraqesin në Tiranë të gjitha dosjet që sot kanë në arkivat e tyre.

Ankimimi
Propozimi për shkrirjen e Agjencive Rajonale të AKKP-së ka sjellë si detyrim edhe ndryshimin e procedurës së ankimimit të vendimeve nga ana e subjekteve të interesuara. Tashmë organi i vetëm ku mund të bëhet ankimimi është gjykata, duke hequr si mundësi ankimin në rrugë administrative. Siç shpjegohet në relacion parashikimi që ankimimi ndaj vendimit të bëhet drejtpërdrejtë në Gjykatë bëhet për faktin se pas shkrirjes së zyrave rajonale, për çështjet ende të patrajtuara me vendim të këtyre zyrave, vendimin për njohjen e të drejtës së pronës do e marrë AKKP-ja. Në këto kushte vendimi i AKKP-së nuk ankimohet më në rrugë administrative, por në gjykatë.

Disa nga kompetencat kryesore që me draftin e ri i shtohen AKKP-së:
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave kryen këto detyra dhe përmbush këto përgjegjësi:
a) Përfundon brenda afatit ligjor, shqyrtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara për njohjen, kthimin e njohjen e së drejtës së kompensimit, të depozituara në ish-zyrat rajonale të AKKP-së, në qarqe, për të cilat nuk është marrë vendim nga këto zyra, duke kontrolluar, vlerësuar e konfirmuar:
tërësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret, e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi;
vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara, përmes ballafaqimit me aktet, ligjore e nënligjore, ose vendimet gjyqësore, në përputhje me nenin 2, të këtij ligji, të cilat kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë të pronës nga shteti.
Pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave, sipas përcaktimeve të bëra me sipër drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së shprehet me vendim brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të trajtimit të kërkesës, për:
rrëzimin e kërkesës;
njohjen, sipas rastit, e së drejtës së pronësisë, kthimin a kompensimin e pasurisë dhe e të drejtave të tjera reale, që parashikohen sipas këtij ligji.
b) Përfundon shqyrtimin e ankimeve kundër vendimit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, si edhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së, në qarqe, të depozituara në AKKP, brenda afatit për ushtrimin e së drejtës së ankimimit.
Pas shqyrtimit të ankimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos:
rrëzimin e ankesës dhe lënien në fuqi të vendimit;
shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
c) Përfundon shqyrtimin e ankimeve, që gjenden të depozituara në AKKP, nga Zyra e Avokaturës së Shtetit, për vendimet e njohjes të së drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së, në qarqe, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve.
Pas shqyrtimit e vlerësimit të ankimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të ankesës, vendos:
rrëzimin e ankesës;
shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.
Mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së, në qarqe, apo të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, të cilat, për shkak të shkeljeve flagrante të ligjit të kohës, i bëjnë këto vendime absolutisht të pavlefshme;
dh) Vlerëson rekomandimet e autoriteteve të ngarkuara për monitorimin e zbatimit të ligjit.
Pas vlerësimit drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, vendos:
mos-fillimin, kryesisht, të procedimit të verifikimit të ligjshmërisë;
kryesisht, të verifikimit të ligjshmërisë së vendimeve të zyrave rajonale të AKKP-së, në qarqe, apo të vendimeve të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve në rrethe a bashki, për
kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve, duke vendosur:
lënien në fuqi të vendimit;
shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›