AKKP, shpall sot 100 pronarët që do të kompensohen
Agjencia e Pronave ka marrë vendim për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara
TIRANË- Të gjitha ata ish-pronarë që kanë aplikuar për të përfituar nga fondi i vitit 2007 për kompensimin financiar të pronës së tyre, do të mësojnë sot nëse janë përzgjedhur apo jo si përfitues. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shpallë sot 100 emrat e subjekteve të shpronësuar që do të kompensohen nga fondi prej 5 milionë dollarësh, deri në 200 metër katror të pronës së tyre. Për këtë çështje, Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Besnik Maho bërë gati dhe ka firmosur vendimin “Mbi shpërndarjen e fondit të kompensimit në të holla për vitin 2007”. Sipas pikës 1 të vendimit në fjalë, shpërndarja e fondit monetar prej 500 milionë lekësh të reja, për subjektet e shpronësuara, do të kryhet në të gjitha qarqet dhe qytetet që përmenden në vendim, “për të cilat është miratuar harta e vlerës me Vendim të Këshillit të Ministrave, sipas rendit kronologjik nga vendimi me datë më të hershme, i paraqitur për kompensim, deri tek ai vendim që i përket atij subjekti të shpronësuar apo trashëgimtarëve të tij, prona e të cilëve kompensohet deri në 200 m2 dhe që nuk janë skualifikuar”. Qarqet që përmenden në vendim, janë, Berati, Gjirokastra, Vlora, Dibra, Lezha, Kukësi, Korça, ndërsa qytetet, Bulqizë, Burrel, Klos, Vlorë, Tiranë, Kavajë. Vendimi i firmosur nga Drejtori i Agjencisë së Pronave parashikon edhe se çfarë do të bëhet me diferencën e lekëve që mund të ngelen nga fondi prej 5 milionë dollarësh. Sipas vendimit, kjo diferencë lekësh nuk do t’i kalojnë subjektit pasardhës në rend kronologjik, por do t’i kalojnë atij subjekti të shpronësuar, i cili në rend kronologjik figuron i pari në listën e atij qarku apo qyteti “që nuk rezulton të përfitojë nga zbatimi i pikës së parë të këtij vendimi”. Në këtë mënyrë, Agjencia e Pronave synon që, në rast se mbeten ende lekë pa u ndarë nga fondi prej 5 milionë dollarësh, këtë shumë të mos e përfitojë thjesht një ish-pronar sipas rendit kronologjik, por një ish-pronar, prona e të cilit gjendet në një nga qarqet dhe qytetet e mësipërme, qark dhe qytetet, për të cilin nuk është zgjedhur asnjë subjekt i shpronësuar për t’u kompensuar në listën që do të shpallë sot Agjencia e Pronave. Synimi i kësaj pike të vendimit është që subjektet që do të kompensohen financiarisht, të jenë nga qarqe dhe qytete të ndryshme të vendit.
Pronat, kush e përfiton fondin prej 5 milionë USD
Nga një numër i madh kërkesash nga subjektet e shpronësuara, në të cilat kërkohet kompensim financiar nga fondi që qeveria ka parashikuar për vitin 2007 për pronën e tyre, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shpallë sot rreth 100 subjekte, midis të cilëve do të ndahet ky fond. Burime pranë Agjencisë së Pronave bëjnë të ditur se, janë rreth 100 ish-pronarë, nga 467 të tillë, të cilët janë përzgjedhur nga Agjencia si përfituesit e fondit prej 5 milionë dollarësh. Këto subjekte të shpronësuara do të përfitojnë kompensimin financiar sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, i cili është miratuar në tetor të vitit 2007. Sipas këtij vendimi, “subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim dhe që i përket atyre qarqeve, rretheve apo qyteteve, për të cilat është miratuar harta e vlerës së pronës, që nuk kanë përfituar nga kompensimet financiare të mëparshme, të kompensohen, sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri i vendimit, sipas viteve”. Po në këtë vendim të qeverisë përcaktohet se, vlera e kompensimit do të jetë e njëjtë si vitet e tjera, deri në 200 m2 të sipërfaqes së përcaktuar për kompensim. Ashtu siç edhe është thënë më parë nga zyrtarët e AKKP-së, një numër i konsiderueshëm subjektesh të shpronësuara që do të përfitojnë nga fondi financiar pritet të jetë nga qyteti i Tiranës. Kjo për shkak të numrit të madh të kërkesave që ka pasur nga ish-pronarët e kryeqytetit, rreth 222.