Rama: Opozita, laboratori i alternativës qeverisëse
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka zhvilluar dje në qytetin e Shkodrës mbledhjen e saj të fundit për këtë vit, ku dhe ka miratuar një sërë dokumentesh, që do të jenë dhe busulla e veprimit të saj politik për gjashtë muajt e ardhshëm. Kryetari i PS-së, Edi Rama në fjalën e tij, pasi ka bërë një pasqyrë të gjithë ecurisë së deritanishme të “Dialogut me Shqipërinë”, ka theksuar nevojën që ky tur të kthehet në një mundësi ku të gjithë shqiptarët të shfaqin shqetësimet dhe mendimet e tyre, se si gjerat mund të bëhet më mirë. “Dialogu me Shqipërinë” dhe politika e re e PS, janë shprehja më kuptimplotë e nevojës për një koalicion të madh të ndryshimit, për një koalicion përtej kufijve të vjetër të partive politike, përtej kufijve të vjetër të vetë PS-së”,- tha Rama, në fjalën e tij. Sipas tij, vetëm nëpërmjet këtij koalicioni të madh dhe këtij bashkëbisedimi, opozita do të mund të kthehet në alternativë e besueshme qeverisëse për të nesërmen. “Ajo që vlen të theksohet është se, opozita jonë është laboratori i alternativës qeverisëse, i alternativës qeverisëse si program, i alternativës qeverisëse si projekt politik, si alternativë qeverisëse e si një sjellje e re e përfaqësuesve të popullit me qytetarët e këtij vendi, në të gjitha nivelet. Nuk mund të ketë alternativë të re qeverisëse, në rast se nuk ka një politikë të re në raportin me qytetaret dhe qytetarët”,- tha Rama. Ndërkohë, kreu i PS-së ka informuar anëtarët e Asamblesë lidhur me hapat e mëtejshëm ku dhe do të kalojnë të gjitha materialet e mbledhura nga bashkëbisedimi me bazën. Duke shpjeguar metodologjinë që do të ndiqet Rama ka bërë të ditur se, debati publik është niveli i parë, tryezat lokale janë niveli i dytë, tryezat rajonale janë niveli i tretë, tryezat kombëtare janë niveli i katërt dhe debati i madh për draftin e programit, që i takon periudhës së vitit të fundit përpara zgjedhjeve, është edhe niveli i fundit i këtij dialogu. “Vlen të theksohet edhe fillimi i një bashkëpunimi sistematik nga muaji janar, me një grup ekspertësh të një niveli më të lartë të Partisë Socialdemokrate Gjermane, e cila ka shprehur gatishmërinë të na mbështesë pasi ka shqyrtuar pikërisht këtë projekt, projektin e “Dialogut me Shqipërinë”,- tha Rama.
PS shpall zgjedhjet në të gjitha organizatat
Partia Socialiste do të nisë riorganizimin e saj të plotë në bazë. Asambleja Kombëtare ka miratuar dje projektin e paraqitur nga Sekretari për Çështjet Organizative në PS, Blendi Klosi, projekt i cili përmban në vetvete zhvillimin e zgjedhjeve nga e para për të gjitha organizatat socialiste. Procesi do të zhvillohen nga muaji shkurt deri në maj, ku në çdo muaj do të zhvillojnë zgjedhje organizatat socialiste në 3 qarqe. Gjatë këtyre zgjedhjeve do të synohet që të ketë një përfaqësim në masën 30 për qind për femrat dhe 30 për qind për të rinjtë. I gjithë ky proces do të mbikëqyret nga Anëtarët e Asamblesë, të cilët do të monitorojnë të gjitha zgjedhjet nëpër organizata. Gjithashtu, Asambleja ka miratuar dje dhe axhendën e punës për gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm, dy rregullore, si dhe masën e kuotizacioneve për anëtarët e partisë.