Asambleja e PS rrëzon nanoistët
Lëvizja për “Politikë Institucionale” e përfaqësuar nga disa deputetë përkrahës të ish-kryeministrit Fatos Nano ka pësuar një humbje tjetër institucionale. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka rrëzuar dje, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, promemorien e paraqitur në emër të kësaj lëvizjeje nga deputeti Petro Koçi. Me shumicë votash kundër dhe me vetëm 6 vota pro, anëtarët e Asamblesë kanë rrëzuar si jorealiste dokumentin, i cili në thelbin e vet kërkonte rishikimin e statutit dhe mbledhjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë.
Debati
Ka qenë pikërisht kryetari i PS-së, Edi Rama ai që ka pranuar diskutimin e këtij dokumenti në Asamble. Promemoria ka bërë që Asambleja të përfshihet nga një debat i gjatë, ku kanë diskutuar më shumë se 30 anëtarë. Argumentet e paraqitur nga Koçi gjatë fjalës së tij, janë kundërshtuar nga shumica dërrmuese e anëtarëve të këtij institucioni duke i konsideruar ato si të pabazuara në realitet. Nga burime pranë kësaj mbledhjeje mësohet se figura të njohura të socialistëve, si Namik Dokle, Pandeli Majko, Arta Dade etj., kanë theksuar se ky dokument është në kundërshtim me rrugën që PS ka ndërmarrë për t’u kthyer në pushtet. E ndërsa ka vlerësuar si pozitive punën e bërë me “Dialogun me Shqipërinë”, anëtari i kryesisë së PS-së, Namik Dokle duke iu drejtuar pikërisht Petro Koçit është shprehur se: “Ne jemi në Shkodër dhe populli i kësaj zone thotë një shprehje: “Më ka çua nona me la gojën”, shprehje që për këtë promemorien tuaj do të përshtatej: “Më ka çu baba (Nano) me la gojën”. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të PS-së, Arta Dade, e cila ka theksuar se turi i ndërmarrë në bazë ka gjetur përkrahjen jo vetëm tek shqiptarët, por edhe tek partnerët e majtë evropianë. “Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë na vlerësojnë shumë për mënyrën se si ne po bëjmë opozitë, ndryshe nga ato çfarë shprehen në këtë platformë”,- mësohet të jetë shprehur Dade gjatë kësaj mbledhjeje.
Baza
Mbledhja e djeshme e Asamblesë ka qenë një rast i mirë dhe për krerët e PS-së në qytetet kryesore, për të shprehur shqetësimin që kanë socialistët e thjeshtë ndaj lëvizjes së kryesuar nga ish-kryetari Nano dhe deputeti Koçi. Kështu krerët e PS-së së Gjirokastrës, Durrësit dhe Vlorës, duke marrë shkas nga debati në fjalë, kanë kritikuar Koçin dhe deputetët e tjerë mbështetës të kësaj promemorieje se po punojnë kundra interesave të socialistëve. “Petro, nuk ka më kohë për të humbur me Nanon. Ke ardhur në Durrës dhe ke zhvilluar takim së bashku me Nanon dhe me ata që dogjën shtetin më 14 shtator”,-mësohet të jetë shprehur kryetari i PS-së Durrës, Gazmend Bizhga. Megjithatë, në fund të këtij diskutimi kreu i PS-së, Edi Rama duke iu drejtuar 6 deputetëve që votuan pro promemories u ka bërë thirrje që të japin kontributin e tyre përkrah gjithë socialistëve të tjerë, për t’u kthyer sa më shpejt në pushtet. “Ejani dhe gjeni vendin tuaj në PS. Ky është një bashkim vullnetar njerëzish dhe ka vend për të gjithë”,- mësohet të jetë shprehur Rama.
Pjesë nga diskutime rreth promemories në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare
Namik Dokle:
“Është për t’u lavdëruar puna që ka bërë Edi Rama deri tani. Aq fshatra sa ka shkelur ai deri tani, nuk i kam shkelur unë në gjithë këto vite. Ne jemi në Shkodër dhe populli i kësaj zone thotë një shprehje: “Më ka çua nona me la gojën”, shprehje që për këtë promemorien tuaj do të përshtatej: “Më ka çu baba (Nano) me la gojën”.
Arta Dade:
“Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë na vlerësojnë shumë për mënyrën se si ne po bëjmë opozitë, ndryshe nga ato çfarë shprehen në këtë platformë”.
Flamur Bime:
“Të kam thënë o shoku Petro, edhe në kafe kur jemi ulur bashkë, hiq dorë nga kjo lëvizje pasi është destinuar të dështojë. Dhe ja, na vjen sot këtu dhe na lexon një deklaratë të tillë, thelbi i së cilës nuk qëndron”.
Eltar Deda:
“Petro, je kthyer në një shqetësim për PS-në e Vlorës dhe gjithë socialistët vlonjatë. Erdhe në Vlorë, së bashku me “kryetarin” tënd dhe prure aty shumë njerëz me furgonë, solle ata njerëz që kontribuuan në nxjerrjen e PS-së në opozitë më 2005. Prandaj të them ktheu në Fier, në zonën tënde, dhe shiko se çfarë thonë banorët e saj për qeverisjen dhe për Ramën. Njerëzit janë lodhur duke dëgjuar deklaratat e tua. Dialogu është mirëpritur kudo, ashtu si edhe në Fier, në zonën tënde”.
Gazmir Bizhga:
“E dëgjova promemorien tënde dhe nuk dëgjova një fjalë, në gjithë ato pika, për Berishën dhe Qeverinë. Petro, nuk ka më kohë për të humbur me Nanon. Ke ardhur në Durrës dhe ke zhvilluar takim së bashku me Nanon dhe me ata që dogjën shtetin më 14 shtator. Ta them hapur, ka ardhur koha që të heqësh dorë nga ky qëndrim dhe bashkoju “Dialogut me Shqipërinë”.
Petro Koçi:
“Dialogu me Shqipërinë” është gjeja më e mirë që ka bërë ndonjëherë Partia Socialiste. Por ajo që dua të them, është se ky duhet bërë nga e gjithë partia dhe jo vetëm nga kryetari”.
Ledi Shamku:
“Petro, ti e the vetë që “Dialogu me Shqipërinë” është pozitiv. Prandaj, bashkohu me dialogun dhe dil e shiko se cila është Shqipëria e vërtetë. Është koha që të heqësh dorë nga kjo sjellje, boll u more me lëvizje të tilla, pasi nuk ka më kohë për të sharë njëri-tjetrin dhe duke ndjellë përçarje. Kam më shumë se dy muaj që po vizitoj qytete dhe fshatra të ndryshëm dhe kam parë se njerëzit janë të pakënaqur me qeverisjen, dhe jo me mënyrën se si po bën politikë PS”.
Sajmir Tahiri:
“Nuk dua të besoj se platforma të tilla dalin në pah, pikërisht, nga ata që sot nuk mund të ndjekin dot më ritmin e ri të PS, ritmin e këtij aksioni gjithëpërfshirës. Dua të kërkoj nga ju vetëm një gjë: kur herë tjetër t’i referoheni kësaj Asambleje të nderuar, duke cenuar integritetin dhe legjitimitetin e saj, ose drejtoni gishtin konkretisht ose heshtni sot e përgjithmonë!”.
Edi Rama:
“Në përfundim të diskutimeve, kryetari i PS-së, Edi Rama duke iu drejtuar 6 deputetëve që votuan pro promemories tha: “Ejani dhe gjeni vendin tuaj në PS. Ky është një bashkim vullnetar njerëzish dhe ka vend për të gjithë”.